Goditën policët pas arrrestimit për prerje të paligjshme të druve, arrestohen vëllezërit
Dy vëllezër janë arrestuar në Korçë për goditje të efektivëve të policisë.
Në pranga ranë Xhemal Jaçe, 41 vjeç dhe Robert Jaçe, 52 vjeç, si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. J., 25 vjeç, të tre banues në fshatin Voskop, Korçë.
Shtetasit e mësipërm janë kapur nga shërbimet e policisë, në rrugën Voskop-Voskopojë, duke transportuar me dy mjete tip "Range Rover", njëri prej të cilëve ishte pa targa dhe pa dokumentacion, një sasi dru zjarri pa lejen përkatëse.
Dy vëllezërit e arrestuar gjatë shoqërimit për në ambientet e Komisariatit kanë goditur për shkak të detyrës, punonjësit e policisë.
Ata akuzohen për veprat penale "Goditjet për shkak të detyrës", kryer në bashkëpunim, "Prerja e paligjshme e pyjeve" dhe "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".
Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.
