Berisha drejt rikthimit në krye të PD-së, flet edhe si kryeministër: Do të ringrejmë PD-në dhe vendin!
Rikthimi aktiv i Sali Berishës dhe ambicia e tij për të marrë sërish drejtimin e Partisë Demokratike ka hasur në jo pak pengesa si brenda familjes politike ashtu edhe jashtë saj.
Këtë rrugë të vështirë lideri historik i PD, në mënyrë simbolike e kapërceu në Kuvendin Kombëtar, me incidentin tek shkallët e Partisë Demokratike.
Për situatën në të cilën ndodhet sot PD, Sali Berisha fajëson Lulzim Bashën, njeriun që vetë e mbështeti për vite me radhë për të drejtuar selinë blu.
“Ne në 8 vite po kalonim nga disfata në disfatë. Lulzim Basha e konsideroi këtë parti si një sipërmarrje private dhe vlerat konservatore i zëvendësoi me pazaret me qeverinë.”
Synimi për të mundur politikisht Edi Ramën, është karta me të cilën ish kryeministri beson se do ta ringrejë Partinë Demokratike, e cila prej 9 vitesh ka mbetur në opozitë.
“Kjo parti nuk vdes kurrë. Ne u rithemeluam që të mbrojmë interesin e shqiptarëve të nëpërkëmbur nga një bastard i komunizmit.”
Në çdo fjalim para demokratëve, Sali Berisha zotohet se non grata e DASH ndaj tij është sponsorizim mafioz i Sorosit.
“Jam sanksionuar nga lobimi i Sorosit dhe Edi Ramës. Unë jam Sali Berisha dhe kurrë shpifjen dhe gënjeshtrën nuk e pranoj për të vërtetë.”
Në fjalimin e Kuvendit, Berisha shkoi përtej demokratëve, me premtime kryeministrore.
“Shqiptarët kudo që janë do të kenë nënshtetësi shqiptare. Shqiptarët e Kosovës do të kenë dyshtetësi.”
Ndërsa nuk kursen paralajmërimet për protesta si ndaj Edi Ramës ashtu edhe kundër Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
“Çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballet me reagimin e shqiptarëve si një komb i vetëm.”
Përveç zotimeve të tij para shqiptarëve, deri me 22 maji Sali Berisha do të angazhohet për garën e kryetarit të PD.



