“Basha s’më la të flisja në Kuvendin e kaluar”, Hajdari tregon rrugën për të shndërruar PD-në një forcë qeverisëse

Deputetja Rudina Hajdari, ka marrë pjesë në Kuvendin  Kombëtar të PD-së të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit.

Në fjalën e saj, Hajdari tha se në Kuvendin e kaluar Lulzim Basha nuk e lejoi të fliste, ndërsa e ka konsideruar PD-në si shtëpinë e babait të saj Azem Hajdari.

Në fjalën e saj ajo tha se në PD, janë bërë gabime të cilat duhet të korrigjohen dhe se kjo forcë politike duhet të dalë nga kriza.

Më tej Hajdari tha ka treguar se nga ku duhet të fillojë rrugëtimi i PD-së për ta shndërruar partinë në një forcë opozitare sot e qeverisëse nesër.

Hajdari: Basha nuk më lejoi të flisja në Kuvendin e kaluar, ndaj sot kam nderin që të flasë para delegatëve të PD. Shtëpia e tim atë, ishte PD, që është partia më e bukur në botë.  Përfytyrimi se si do të jetë PD, më motivon  edhe sot. Për fat të keq për gjatë viteve e sidomos në këto 9 vitet e fundit ne kemi humbur në një vorbull të krijuar nga pak njerëz, pro që u ka rënduar si barrë të gjithë demokratëve. Kemi bërë disa gabime që duhet t’i korrigjojmë sa më parë. Në 9 vite e fundit të PD, demokracia u zëvendësua me krye autokracinë, zgjedhjet u zëvendësuan me emërime, meritokracia u zëvendësua me servilizëm. U bojkotuan zgjedhjet duke nxjerrë totalisht PD nga sistemi politik dhe duke sjellë një krizë të thellë brenda saj. Kjo krizë i ka rrënjët për të zëvendësuar demokracinë me autokracinë. Që aty duhet ta nisim rrugëtimin tonë për të shndërruar PD-në një forcë opozitare sot, e qeverisëse nesër.