Strazimiri për deputetët që refuzuan Kuvendin: E kanë mbyllur karrierën politike në PD
Ish-deputeti, Gent Strazimiri, thotë Kuvendi i sotëm i Partisë Demokratike tregoi se shqiptarët sot kanë një pikë ku të mblidhen dhe bashkohen në emër të patriotizmit dhe të vërtetave që duhet të jenë çështja e ditës për ta.
Në një intervistë për Ora News, Strazimiri thotë se "e nesërmja do të jetë e vështirë por jo vështirësitë që kemi kaluar deri tani".
Strazimiri nuk la pa komentuar edhe mungesën në sallën e Pallatit të Kongreseve të 30 deputetëve.
"Nuk mendoj se është refuzim i bashkimit. Gjithësesi cilido që ka marrë përsipër të përfaqësojë PD, që ka marrë përsipër të përfaqësojë demokratët nuk mund të mungojë aty ku demokratët mblidhen në mënyrë legjitime, aty ku demokratët vendosin, aty ku demokratët i kanë ftuar. Cilido që merr një vendim të tillë mendoj se ka mbyllur karrierën politike me demokratët. Ai që refuzon ti përfaqësojë demokratët ai nuk ka të ardhme në PD. Nëse dikush prej tyre ka marrë këtë vendim personal kam përshtypjen se e ka mbyllur dhe karrierën e tij politike në PD me demokratët".
Një nga vendimet e rëndësishme të Kuvendit ishte dhe shkarkimi i Enkelejd Alibeaj si kryetar grupi.

Për Strazimirin ai tradhëtoi demokratët që i besuan përfaqësimin.
"Shkarkimi i Alibeaj sot vetëm është formalizuar nga Kuvendi i PD. Alibeaj është prej atyre që për fat të keq refuzon të përfaqësojë demokratët në betejën e tyre. Ai po i përgjigjet çdo ftese, po miklohet nga fakti që i vetmi që e legjitimon është Taulant Balla dhe Edi Rama në një kohë që duhet të gjente legjitimitetin tek ata për të cilët është zgjedhur ti përfaqësojë, te demokratët. Alibeaj, pavarësisht faktit se mazhoranca nuk i ka deputetët për zgjedhjen e Presidentit, siç e dini 13 deputetë më pak nga 77 që është deklaruar zyrtarisht duke pasur parasysh të njëjtin kriter që përdor Alibeaj se kanë dalë nga influenca kriminale amerikanisht të certifikuara.
Mazhoranca e sotme ka vetëm 64 deputetë. Alibeaj e harroi faktin që beteja sapo ka filluar, ai dhe cilido që qëndron pas tij apo në krah të tij harruan se kishte masakër elektorale dhe u premtuan shqiptarëve që nuk do e njohin rezultatin. Sot Alibeaj shkon mirënjohës ndaj faktit që po e thërrasin dhe pranon që Rama i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur Presidentin në raundin e katërt apo të pestë. Është tradhëti që u bëhet shqiptarëve, 622 mijë vetave që votuan për PD të cilët sot duhet të shikonin përfaqësimin te PD dhe kreu i grupit parlamentar apo ish-kreu i grupit parlamentar. Ai refuzoi të bënte këtë detyrë. Kuvendi sot vetëm e certifikoi faktin dhe e formalizoi".
