Qëlloi me automatik mjetin që i parkuan para shtëpisë, policia nxjerr nga streha ku ishte fshehur të riun
Andrea (Martin) Çrraga është arrestuar nga policia e Fierit, pasi ishte shpallur në kërkim sepse qëlloi me armë në drejtim të makinës së 64-vjeçarit Martin Canga pas një konflikti mes tyre një natë më parë. Pronari i makinës së dëmtuar tha se nuk ka pasur mosmarrëveshje me autorin e ngjarjes ndërsa shtoi se ka denoncuar ngjarjen në Policinë e Fierit.
Policia e Fierit ka arrestuar Andrea Çrragën, i cili ishte shpallur në kërkim sepse qëlloi me armë në drejtim të makinës së 64-vjeçarit Martin Canga pasi ky i fundit kishte parkuar në para banesës së tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:45, në fshatin Petovë, ku i riu ka qëlluar me automatik automjetin në pronësi të shtetasit Mane Senka.
Ai arriti të largohet nga vendi i ngjarjes pavarësisht tentativës së Komisariatit të Policisë Fier dhe dy grupeve të FNSH për ta vënë në pranga, por u arrestua mesditën e kësaj të shtune.
Sipas infomacionit zyrtar të Policisë, autori është person me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës.
Ndërkohë pronari i automjetit të dëmtuar tregoi detaje nga ngjarja.
"Kthehem nga Rinasi dhe ndaloj tek xhaxhai. Qëndrova 5 minuta sa u takova, dola në verandën e shtëpisë dhe pashë që po gjuhej makina me kallashnikov. I foli çuni xhaxhait, autori shau, gjuajti me tepër dhe e drejtoi automatikun drejt nesh. Qëlloi drejt nesh me automatik, kaloi plumbi mbi soletën e xhaxhait. Nuk kemi pasur asnjë lloj konflikti, vetëm parkimi. Ka gjuajtur 7-8 plumba".
Dëshmitare e ngjarjes ka qenë edhe bashkëshortja e pronarit të automjetit, e cila thotë se në zonë autori i ngjarjes njihet si problematik.
"Ai e goditi makinën dhe tha pse e pranon te dera ime. U ndjemë të frikësuar".
Pronari i mjetit të dëmtuar nga të shtënat thotë se ndjehet i rrezikuar dhe se ka bërë denoncim duke kërkuar mbrojtje në polici.
Njoftimi i policisë për arrestimin
Mbrëmjen e djeshme, në fshatin Petovë, Fier, shtetasi A.(M). Ç., 30 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin M. S., pasi qëlloi me armë zjarri automatik në drejtim të automjetit tip "Ford" në pronësi të shtetasit M. S., 64 vjeç, është larguar nga vendngjarja.
Pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe dy grupe të FNSH Fier kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit i cili duke përfituar nga errësira ka arritur të fshihej në pyll dhe të strehohej më pas në një banesë të pabanuar të një familjari të tij.
Pas disa orëve ndjekjeje dhe falë angazhimit dhe kontrolleve të shumta të kryera nga forcat e Policisë së DVP Fier dhe Komisariatit të Policisë Fier, në rrugë dhe në ambiente ku dyshohej se autori A. (M). Ç. mund të fshihej, u bë e mundur ditën e sotme kapja e tij dhe gjetja e armës me të cilën ka gjuajtur 30-vjeçari.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale "Kanosja", "Shkatërrimi i pronës", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të ftohta" i shtetasit A.(M). Ç., 30 vjeç, banues në Petovë, Fier, i dënuar më parë për vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
