Shtëpi bari nga Valbona në Kashar
Dy banesa të përshtatura për kultivimin e lëndëve narkotike u zbuluan nga polica Brenda 24 orëve në Tiranë dhe në Tropojë.
Shtëpia në pronësi të 43-vjeçarit Shpëtim Selimajt në Valbonë, ishte përshtatur për rritjen e bimëve narkotike.
Policia tha se aty ishin vendosur 34 llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike nën të cilat kultivohej kryesisht kanabis sativa.
Nën llampat ngrohëse u gjeten fidanë kanabisi në fazë rritje dhe 500 gramë të tjera në proces tharje të cilat u sekuestruan dhe asgjësuan.
Ndërkohë në Kashar në katin e dytë të kësaj banese kultivuesit kishin filluar të mbillnin lëndë narkotike. Policia ra në gjurmët e tyre pas një monitorimi përmes OSHEE për shkak të shpenzimit të lartë të energjisë elektrike.
Sipas të dhënave disa persona janë shoqëruar e ndërsa policia po vijon kërkimet për kapjen e pronarëve të drogës.
Shtëpitë e barit ose laboratorët e kanabisit siç njihen ndryshe duket se janë kthyer në mënyrën kryesore të kultivimit, krahas serave dhe parcelave në zonat e thella malore.
Në Shqipëri gjatë vitit 2021 policia ka zbuluar 26 shtëpi bari ndërsa në 4 muajt e parë të këtij viti janë identifikuar mbi 16 të tilla.
