E trishtë/ 34-vjeçarja vdes nga hemoragjia cerebrale por arrin të sjellë në jetë vajzën e saj. Familja dhuron organet

Një tragjedi që preku jetën e një qyteti të vogël në La Spezia po kthehet në një shpresë për disa pacientë që presin një transplant.

Ylenia Bardi, një 34-vjeçare nga Pignone në muajin e tetë të shtatzënisë, nuk i mbijetoi hemoragjisë cerebrale që e goditi të premten e kaluar.

Ajo vdiq në spitalin e San Martinos, por mjekët arritën t'i sjellin në jetë vajzën e saj, e cila tani, edhe pse e monitoruar vazhdimisht, duket se është mirë.

Familja e Ylenias ka dhënë pëlqimin për heqjen e organeve që do të shpëtojnë shumë jetë të pezulluara në këtë moment.

Një fjongo e zezë në shenjë zie është shfaqur në faqen e Facebook të Komunës së Pignone.

Presidenti i Rajonit Giovanni Toti donte të bënte një homazh për të renë që nuk shijoi dot mëmësinë dhe as jetën.

“Ajo ishte gati të bëhej nënë, por, për fat të keq, nuk pati kohë ta shihte fëmijën e saj të lindte. Mirëpo, me një operacion urgjent cezarian në muajin e tetë, mjekët e spitalit San Martino në Genova arritën të shpëtojnë vajzën e tyre Gretën, e cila fatmirësisht është mirë. Me gjithë dhimbjen e pamasë, familja e Ylenias me shumë bujari vendosi t'i dhuronte organet e gruas. Një gjest që shpresojmë se do të shpëtojë jetë të tjera. Ngushëllimet e mia më të thella dhe përqafimi i gjithë Ligurisë shkojnë për babanë Simone, Gretën e vogël dhe gjithë komunitetin e Pignone”.