Balla: Konferenca e kryetarëve më 4 Maj, nuk duam t'i japim Shqipërisë një President të PS-së

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një deklaratë për mediet bëri me  dije se konferenca e parë e kryetarëve do të mbahet të mërkurën e javës tjetër, më 4 maj. Sipas tij, kjo shtyrje është kohë e mjaftueshme për të gjitha grupet parlamentare të opozitës për të qartësuar mënyrën e negocimit dhe për të krijuar një profil të Presidentit.

Balla: Kjo shtyrje me 5-6 ditë i shërben të gjitha grupeve parlamentare për të qartësuar brenda vetes procesin e këtyre bisedimeve, negociatave mes grupeve parlamentare. Kushtetuta ka përcaktuar nevojën e konsultimeve përgjatë 3 raundeve të para. Do të ishte mirë që të gjitha grupet parlamentare të merrnin kohë e nevojshme për të dialoguar me njëri-tjetrin.

PS hyn në këto negociata me 3 grupet parlamentare të opozitës me dëshirën që t'i japim shqiptarëve një President të shqiptarëve jo të PS. Unë besoj se koha në dispozicion deri të mërkurën tjetër që mund të zhvillohet konferenca e kryetarëve, të jetë një kohë për të gjitha grupet për të qartësuar brenda vetes mënyrën e negocimit qoftë për kalendarin, qoftë edhe për profilin e Presidentit të Republikës.