"Ai e ka vendosur…", Presidenti sipas popullit: Të qëndrojë mbi palët, të krijojë një klimë të qetë politike
"Të jetë konsensual."
"Të punojë për popullin."
"Të jetë i urtë, i sjellshëm."
"Të jetë një intelektual."
Të tilla veti dëshirojnë shqiptarët të shohin te Kreu i ri i Shtetit.
E dinë se roli i tij është i kufizuar krahasuar me atë të Kryeministrit, por kërkojnë që Presidenti i ardhshëm të kontribuojë në krijimin e një klime më të qetë politike.
"Mirë është t'ja lënë opozitës për të krijuar një normalitet dhe në parlament."
Përveçse të qëndrojë mbi palët, thonë se duhet të mendojë për qytetarët e të mos lejojë cënimin e interesave të tyre.
"Sa më i mirë të jetë aq më mirë për popullin, parlamentarët, shtetin."
Shprehen se nuk duhet të vijë nga radhët e partive për të shmangur njëanshmërinë në vendimmarrje.
Do të donin ta zgjidhnin me votën e tyre, por i frikësohen tjetërsimit nga politika ndaj zgjedhjen e lënë në dorë të saj.
"Kur këtu nuk është vota e lirë rrezikojmë shumë në çdo gjë."
"Edhe po votoi populli, prapë ata pesë veta vendosin.
"Ne flasim kot, ai e ka zgjedhur."
Nga 7 Presidentët që kanë qëndruar në krye të shtetit gjatë tre dekadave demokraci, veçojnë Alfred Moisiun.
Thonë se ka drejtuar me urtësi dhe përtej palëve politike.
"Si më i përshtatshmi për kushtet tona."
"Zbatues ligjesh si ai."
Zgjedhja e Presidentit të ri është kryefjalë e zhvillimeve politike në Shqipëri.
Mazhoranca kërkon të kundërtën e Ilir Metës në krye të shtetit, ndërsa opozita e përçarë ende nuk ka një qëndrim.
