Harta e re gjyqësore, Manja: Këtë javë analiza finale e draftit në ministrinë e Financave

Harta e re gjyqësore që shkrin gjykatat e apelit dhe redukton ato të shkallës së parë në 9 qytete është drejt finalizimit. Ministri i Drejtësisë theksoi se këtë javë do të zhvillohet analizimi i efekteve financiare nga ministria e Financave, dhe më pas do të ketë një fazë të dytë konsultimi për ta dërguar më pas draftin në qeveri për miratim. Ulsi Manja nuk pranoi të zbulojë nëse projekti ka pësuar ndryshime në lidhje me numrin e gjykatave të apelit.

Drafti për hartën e re gjyqësore ka hyrë në fazën finale të konsultimit para se të dërgohet në qeveri për miratim

"Do të kemi draftin final i cili do t'i nënshtrohet një konsultimi të dytë publik me ministrinë e Financave, me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe me propozimin tim do kalojë në qeveri", tha Manja.

Ministri i Drejtësisë, theksoi se pas fazës së parë të konsultimeve, drafti do t'i dërgohet për mendim ministrisë së Financave në lidhje me efektet financiare

"Nuk jam në gjendje sot të flas apo të them një shifër lidhur me postimin e hartës gjyqësore. Prandaj ligji ka parashikuar qartësisht edhe opinionin e ministrisë së Financave", tha ministri.

Duke iu referuar kritikave të dhomës kombëtare të avokatisë në lidhje me shkurtimin e gjykatave të faktit në 9 qytete dhe heqjen e apeleve nga qarqet duke lënë vetëm një gjykatë të tillë në tiranë, Manja theksoi se ata, janë grup interesi.

"Janë grup interesi që paguhen nga klientët që përfaqësojnë", tha ai.

I pyetur për ndryshimet që ka pësuar drafti final, Ulsi Manja nuk preferoi të japë detaje pasi tha se do të ketë një dalje tjetër gjatë javës

"Ju lutem ma lini lajmin për njëherë tjetër", tha ministri.

Harta e re gjyqësore  është kritikuar për rritjen e kostos në dëm të qytetarëve që duhet të udhëtojnë larg vendbanimeve për të ndjekur proceset ndërsa avokatët kanë theksuar se drafti vështirëson aksesin në drejtësi.