SPAK çon në gjykatë dosjen për vrasjen e Behar Sofisë, 5 të pandehur në bankën e të akuzuarve
Shkon në gjykatë dosja e autorëve të vrasjes së Behar Sofisë ndodhur më 25 shkurt 2021.
Pas përfundimit të hetimeve paraprake, dosja u dorëzua sot (26 prill 2022) nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në ngarkim të të pandehurve
1- Leonard Xhixha,
2- Bujar Leza,
3- Skënder Vathi,
4- Xhuljano Visha,
5- Ernejt Shyti
Të pestë të pandehurit janë dërguar për gjykim me masë sigurimi arrest në burg dhe të akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” në dëm të viktimës Behar Sofia, finalizuar në datën 25.2.2021;
“Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Grupi i strukturuar kriminal” në rolin e pjesëmarrësit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2 278/1, 333/a/2 dhe 334 i Kodit Penal.
SPAK thotë se hetimet vazhdojnë në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.