Vasili: S’ka përçarje të demokratëve, anëtarët e PD-së janë të bashkuar
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, teksa ka komentuar situatën në PD, është shprehur se nuk ka pasur përçarje brenda demokratëve.
Në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News, Vasili tha se demokratët po presin që me votat e tyre të vendosin se kush do të jetë drejtuesi i tyre.
Petrit Vasili: Nuk ka pasur ndonjë përçarje të demokratëve. Unë shikoj se si në radhë të gjata, anëtarë të PD-së, presin për të marrë pjesë për të vendosur me votën e tyre, cilët janë drejtuesit e tyre lokal dhe më tutje drejtuesit e niveleve më të larta.
Për aq kohë sa kjo parti organizoi një kuvend të jashtëzakonshëm, që pasoi me 18 dhjetorin, mori pjesë më 6 mars, ku dha një mësim të madh dhe tani po kryen një veprim politik ku do të marrë pjesë gjithë anëtarësia, është fare e qartë që nuk ka probleme të përçarjes. Ka personazhe që shiten dhe blihen por nuk janë këta shumica.
Më tej ai tha se anëtarët e PD-së i sheh të gjithë të bashkuar.
Petrit Vasili: Forca politike është e bashkuar kur janë të bashkuar anëtarët e vet. Unë anëtarët e PD-së i shikoj të gjithë të bashkuar.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.
