A do ketë ndryshim në lidershipin e LSI? E zbulon Braimllari

LSI do të mbajë më 25 korrik konventën kombëtare  për riorganizimin e të gjithë strukturave për zgjedhjet vendore të 2023.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari në një lidhje direkte me gazetarin Everest Dedaj, në Ora News tha se LSI po punon për ristrukturimin e brendshëm.

Por a do të ketë ndryshim në lidershipin e partisë? A do ketë zgjedhje për kryetarin e kësaj force politike?

Braimllari: LSI i ka bërë zgjedhjet për kryetarin e bashkisë, janë mbajtur më 5 dhjetor 2020. Në atë periudhë do të mbaheshin dhe zgjedhjet për strukturat e tjera drejtuese, kryesinë, sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët por për shkak të pandemisë kjo u shty. Ndaj ne do të plotësojmë nivelet e tjera drejtuese. Për sa i përket kreut të partisë është në vullnetin e zonjë Kryemadhi për të paraqitur agjendën në vazhdimësi të fuqizimit të rolit të LSI për zgjedhjet e 2023.

Pas përfundimit të mandatit të Presidentit më 24 korrik, a do kthehet Ilir Meta në opozitë?

Braimllari: Përfaqësimi i Metës  si Presidenti i vendit ka qenë dinjitoz dhe i ka dhënë atij institucioni rolin e një qytetari të vërtetë. Për sa i përket rolit të tij në politikë aktive, ai e ka bërë të qartë se do konsultohet me qytetarët dhe besoj është në zgjedhjen e tij. Zoti Meta është themeluesi i LSI, në politikën shqiptare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke nxjerrë një ekip të ri në politikën shqiptare.

Konventa e 25 korrikut, ka të bëjë me një hapje të LSI, tha Braimllari, dha aksioni i LSI në këtë drejtim ka të bëjë dhe me hapjen e saj drejt profesionistëve të rinj, pedagogëve të cilët do japin kontribute brenda partisë.

Braimllari: LSI do jetë një faktor përcaktues në zgjedhjet vendore të 2023, ndaj unë e shikoj si të domosdoshëm ridimensionimin e opozitës, e shikoj si të domosdoshëm bashkimin e çdo faktori opozitar për tu vendosur ballë për ballë këtij regjimi.

Sipas Braimllarit, pas 25 prillit opozita ka pasur pengesa për tu ridimensionuar.