Përfundojnë zgjedhjet për degën e PD-së në disa qytete, ja kush janë fituesit

Këtë të shtunë në 14 degë të Partisë Demokratike vijuan zgjedhjet e brendshme për strukturat e reja në kuadër të rithemelimit të kësaj partie dhe mbajtjes se Kuvendit Kombëtar të 30 prillit.

Pas numërimit të fletëve të votimit, kryetar i Partisë Demokratike dega Kolonjë është shpallur Viktor Duro me 224 vota; në degën e Dimalit fitues është shpallur kandidati Bujar Dhembo me 127 vota; kryetar i Degës PD Pukë, u zgjodh Demir Hyseni dhe kryetar i Degës PD Rrogozhinë u shpall Ilir Sabri Kasa, të dy kandidatët morën 67% të votave.

Pas numërimit të fletëve të votimit, Komisionet e Votimit shpallën kryetar të Degës PD Kurbin, Gjergj Oroshin me 56% të votave ndërsa kryetar i Degës PD Fush-Arrëz, u zgjodh Hil Kola me 84% të votave.

Në zgjedhjet për kryetarin e degës së PD në Lushnjë, pas numërimit të votave rezultoi fitues Eduard Sharka me 431 vota. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike njoftoi se në përfundim të procesit të numërimit të votave, fituese në degën e PD-së së Matit është shpallur Denisa Vata me 345 vota.

Ndërkaq, ish-deputeti i PD-së Igli Cara është zgjedhur kryetar i degës së PD në Durrës.

Po ashtu votime u zhvilluan edhe në tre degë të PD-së në Tiranë. Konkretisht, pas numërimit të fletëve të votimit, Komisionet e Votimit shpallën kryetare e Degës 2 Tiranë, Irma Marku me 54% të votave; kryetar i Degës 4 Tiranë, Astrit Kasa me 51% të votave, ndërsa kryetar i PD Dega 15 Tiranë u zgjodh Florind Mansaku.

Zgjedhjet u zhvilluan sipas parimit një anëtar një votë.  Në 14 degët ku u zhvilluan zgjedhje këtë të shtunë, ra në sy fluksi i demokratëve të cilët i drejtoheshin kutive të votimit si asnjëherë më parë.

Kjo bëri që në disa degë të shtyhej orari i mbylljes së qendrave të votimit, në mënyrë që të hidhte votën edhe demokrati i fundit.

Të dielën do të zhvillohen zgjedhjet në Bulqizë për kryetarin e ri të degës së Partisë Demokratike.