"Dashuria mposht urrejtjen", pas 2 viteve pandemi, besimtarët ortodoksë kremtojnë të dielën Pashkën

Kur na ndajnë vetëm pak orë nga mesha e mesnatës ku do të thërritet ringjallja e Krishtit, besimtarët ortodoksë janë duke kryer përgatitjet e fundit. Në mesazhet e tyre ata kërkojnë që njerëzit të shpërndajnë sa më shumë dashuri mes tyre. At Gjergj Grigori shprehet i lumtur për atmosferën e krijuar pas dy viteve pandemike.

Disa orë përpara meshës së mesnatës, në Katedralen Ortodokse të Tiranës janë duke u bërë përgatitjet përpara se Kryepeshkopi bashkë me klerikët dhe njerëzit në oborrin e Katedrales të thërrasin: Krishti u ngjall.

At Gjergj Grigori theksoi se ndryshe nga një vit më parë ku për shkak të kufizimeve të Covid-19 numri i njerëzve në meshë ishte i kufizuar, këtë vit atmosfera ndihet edhe më festive.

"Është e vërtetë  kjo dhe lavdi Zotit ne filluam që këtë javë, gjithë populli së bashku me klerikët dolën duke bërë një procesion rreth e rrotull pjesës ku ne jemi në qendër. Pati një prani shumë të madhe të besimtarëve, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera", tha ai.

Gjithashtu kleriku ka edhe një mesazh për të gjithë besimtarët ortodoksë.

"Sa më shumë shpresë, besim, dashuri. Mesazhi i kryepeshkopit për këtë Pashkë ka të bëjë me dashurinë. Dashuria e mund urrejtjen", tha ai.

Këtij mesazhi i bashkohen edhe vetë qytetarët.

"Të gëzojnë Pashkët dhe të kenë dashuri e cila më duket se ka filluar të mungojë."

Edhe të rinjtë janë të përkushtuar ndaj ritualeve të kësaj feste.

"Më bën të ndihem shumë e plotësuar shpirtërisht dhe më bën të lidhem me unin tim."

Zonjat janë përkujdesur të lyejnë edhe vezët e Pashkës, të cilat do ti shpërndajnë më pas.

"Unë i lyej vezët dhe të dielën kush ka fëmijë, i ndaj nëpër shkallë. Më jep një kënaqësi sepse është ngjyra e kuqe, kujtojmë Zotin Krishtin, Shën Mërinë."

Harmonia fetare është shumë e rëndësishme për to.

"Zoti është i të gjithëve, dhe i myslimanëve, dhe i ortodoksëve dhe i krishterëve."  

Përgjatë gjithë javës në kishën ortodokse do të kryhen shërbesa në emër të ringjalljes së Krishtit.