Çudira shqiptare. Gol çdo 6 minuta në Bulqizë, “uragan” 8-ballësh në Gramsh. Kategoria II për rekord botëror
Fenomeni i tolerimeve për të mos i përfshirë në termin “trukim” që sërish në këtë rast nuk do të ishte i tepruar, shfaqet në mënyrën më groteske të mundshme në javët e fundit të kategorive inferiore. Këtë të shtunë në Kategorinë e Dytë të Shqipërisë, rezultate në kufijtë e çmendurisë janë prodhuar në të paktën dy fusha.
Veleçiku në tentativë për të arritur në kreun e grupit A fitoi në Bulqizë dhe këtë e bëri me rezultatin 15-0 por as kjo fitore ku u shënua gol mesatarisht çdo gjashtë minuta, nuk i mjaftoi skuadrës nga Kopliku të ngjitej në vendin e parë që mbahet nga Luzi.

Rezultat qesharak edhe ai i regjistruar në Gramsh ku vendasit u dorëzuan pa kushte ndaj Orikut që triumfoi me plot 8 gola, 5 prej të cilëve përtej minutës së 80-të. Luzi kryeson me 52 pikë dhe momentalisht siguron të drejtën për t’u ngjitur në të parën por kujdes, Veleçiku dhe Oriku ndjekin me nga 50 dhe javët e ardhshme deri në fund mund të dhurojnë rezultate edhe më të “papritura”.
