Burri shpërblehet me 450 mijë dollarë pasi festa surprizë e ditëlindjes nga kompania i shkaktoi ankth

Një kompani amerikane është dënuar të paguajë 450 mijë dollarë dëmshpërblim për një punonjës që u pushua nga puna pasi pësoi një sulm paniku, sepse kolegët e tij i organizuan një festë ditëlindjeje kundër dëshirës së tij.

Gravity Diagnostics me bazë në Kentaki synon të apelojë vendimin.

Kevin Berling, i cili pretendon se vuan nga ankthi, kishte paralajmëruar shefin e tij se nuk donte të festonte ditëlindjen sepse kishte kujtime të këqija nga divorci i prindërve. 

Por më 7 gusht 2019, kur punonjësit morën një pushim për drekë, ai pa kolegët e tij duke i uruar "Gëzuar ditëlindjen" dhe zbuloi se ata kishin varur një pankartë urimi në sallon.

Berling u largua, hipi në makinën e tij dhe, siç pretendon ai, pati një sulm paniku.

Të nesërmen në punë Berling u shfaq "i zemëruar, duke shtrënguar grushtat dhe dhëmbët, fytyra e tij e skuqur dhe duke u dridhur". 

Shefi dhe një punonjës tjetër që ishin të pranishëm "kishin frikë për sigurinë e tyre" dhe thirrën sigurimin për ta nxjerrë jashtë. Më pas kompania vendosi ta pushonte fare nga puna Kevin Berling.

Para incidentit, Berling nuk kishte marrë kurrë asnjë koment për sjelljen e tij.

Ai ngriti një padi kundër kompanisë, duke e akuzuar atë për "diskriminim" për shkak të problemit shëndetësor me të cilin përballet. 

Në fund të marsit, gjykata i dha 450,000 dollarë,  150,000 dollarë për humbjen e të ardhurave që pësoi dhe pjesa tjetër për "poshtërimin, humbjen e vetëvlerësimit dhe dhimbjen" e shkaktuar nga shkarkimi i tij.

Por nga ana tjetër kompania pretendon se nuk është diskriminuese, nuk është informuar për problemet shëndetësore të punonjësve të saj dhe ka ndërmend të apelojë.

"Punëdhënësit, sidomos në këtë kohë dhune në vendin e punës, kanë të drejtë dhe duhet të marrin masa, si këtu, për të mbrojtur punonjësit e tyre”, tha avokati.