Kërkesa për shkëmbim të të burgosurve, rusët transmetojnë videon me pengjet britanike

Dy ushtarë britanikë, të dyshuar si robër lufte, u shfaqën disa herë në televizionin shtetëror rus të hënën, duke kërkuar shkëmbimin e të burgosurve.

Në një video, dy ushtarët me pamje të mërzitur i drejtohen kryeministrit britanik Boris Johnson dhe i kërkojnë atij që të negociojë lirimin e tyre. 

Në këmbim të tyre, duhet të lirohet politikani prorus ukrainas Viktor Medvedchuk.

Pothuajse në të njëjtën kohë, shërbimi i brendshëm i Inteligjencës ukrainase publikoi një video të Medvedchuk të arrestuar duke kërkuar që të shkëmbehej me mbrojtësit e mbetur ukrainas dhe banorët e Mariupol.

Sipas transmetuesit shtetëror rus WGTRK, të burgosurit britanikë të luftës janë Aiden Aslin dhe Shaun Pinner, të cilët thuhet se kanë luftuar për mbrojtjen e Kievit. 

Në video, të dy burrat nuk komentojnë nëse po mbahen në Ukrainën lindore nga ushtria ruse apo nga pasardhësit e Putinit, të ashtuquajturit separatistë pro-rusë.

Është e paqartë se ku është marrë video dhe sa lirisht kanë mundur të flasin të burgosurit. 

Sipas raporteve të mediave ruse, ushtarët u arrestuan në portin jugor të Ukrainës, Mariupol, i cili është kontestuar ashpër prej javësh.

Dy burrat në video merren në pyetje nga gazetari i WGTRK, Andrej Rudenko. 

Ai u tregon atyre një video të publikuar javën e kaluar nga gruaja e Medvedchuk, Oxana Marchenko, në të cilën ajo bën thirrje që burri i saj të shkëmbehet me dy britanikët. 

Dy të burgosurit më pas kërkojnë një shkëmbim të tillë në anglisht.

Nëna e Aslin, Ang Wood, ka kërkuar lirimin e djalit të saj në një intervistë për gazetën britanike “Daily Telegraph” të premten. 

28-vjeçari është një “pjesëtar i Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe si i tillë është një rob lufte që duhet trajtuar me njerëzim”, tha ajo.

Biznesmeni pro-rus Medvedchuk u arrestua në Ukrainë javën e kaluar. 

Ai akuzohet, ndër të tjera, se ka transmetuar sekretet ushtarake të Ukrainës në Moskë. 

Ai ishte akuzuar për tradhti të lartë dhe ishte vendosur në arrest shtëpiak vitin e kaluar.

Menjëherë pas fillimit të operacionit ushtarak rus në Ukrainë më 24 shkurt, ai u fsheh dhe u kap javën e kaluar.

Në videon e publikuar nga shërbimi sekret ukrainas SBU, Medvedchuk i veshur me të zeza shikon drejtpërdrejt në kamera dhe i drejtohet despotit të Kremlinit, Vladimir Putin dhe Presidentit të Ukrainës Zelensky.

"Do të doja të pyesja Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky nëse mund tëse mund të më shkëmbejnë me mbrojtësit ukrainas dhe banorët e Mariupolit.Për banorët e Mariupolit nuk ka “mundësi për një dalje të sigurt përmes korridoreve humanitare”.

Medvedchuk konsiderohet si një i besuar i ngushtë i Putinit. 

Sipas sipërmarrësit, shefi i Kremlinit është kumbari i vajzës së tij më të vogël. 

Me një pasuri të vlerësuar prej 620 milionë dollarësh, Medvedchuk është ukrainasi i dymbëdhjetë më i pasur.

Javën e kaluar, Zelensky ofroi shkëmbimin e Medvedchuk me robër lufte ukrainas. 

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi më pas se Medvedchuk "nuk ishte një shtetas rus".