Putin nderon brigadën që Ukraina e akuzon për “krime lufte” në Bucha
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nderuar ushtarët që kanë marrë pjesë në luftime në Ukrainë për trimërinë e treguar për mbrojtjen e shtetit. Sipas palës ukrainase brigada që mori titujt e nderit, ka marrë pjesë në krimet e luftës në Bucha, për të cilat gjykata ndërkombëtare kundër krimeve të luftës tashmë ka nisur hetimet.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka nderuar një brigadë ushtarakësh që ka marrë pjesë në luftime në Ukrainë, me titullin Mbrojtës”,por sipas palës ukrainase kjo njësi ka kryer të ashtuquajturat krime lufte në qytetin e Bucas, pranë Kievit.
Të hënën e 18 Prillit kreu i Kremlinit nënshkroi dekretin me titujt për Brigadën e 64- të të pushkëve të motorizuara për mbrojtjen e atdheut dhe interesave të shtetit.
Në dekret pjesëmarrësit lavdërohen për heroizëm, guxim e këmbëmngulje.
Ndërkohë Drejtoria e Inteligjencës së Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes publikoi emrat, gradat dhe detajet e pasaportave të anëtarëve të kësaj brigade, duke thënë se ata do të përballen me drejtësinë.
Në fillim të prillit, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ushtarët rusë kanë kryer vrasje masive në Bucha.
Pas largimit të forcave të armatosura ruse nga ky qytet, trupat e pajetë të banorëve u gjetën nëpër rrugë me plagë nga armët e zjarrit, madje disa prej të cilëve me duar të lidhura pas shpine.
Kremlini i ka mohuar akuzat se forcat ruse janë përgjegjëse për vrasjen e civilëve në Bucha, duke thënë se imazhet e publikuara të civilëve të pajetë janë të rreme.
Akordimi i titujve të nderimit nga kreu i Kremlinit vjen në ditën e 54 të të luftës, ku janë shënuar mijëra viktima dhe mbi 12 milionë banorë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre.
