Rithemelimi i PD-së: “Alibeajt” të krijojnë fraksion, vota e anëtarësisë bashkon demokratët
Komisioni i Rithemelimit i bën të qartë Enkelejd Alibeajt se nuk do t’ia pranojë dokumentin që ai e cilëson platformë për bashkimin e Partisë Demokratike. Sipas anëtareve të këtij komisioni, Alibeaj dhe mbështetësit mund të krijojnë fraksion për të realizuar platformat.
Anëtaret e Komisionit të Rithemelimit, strukture e cila nga gjykata është njohur si drejtuese e Partisë Demokratike, e kanë një alternative kundër platformës se një grupi deputetesh për bashkim, Votën e Anëtarësisë.
Belind Këlliçi, dhe Edit’h Harxhi, të dërguar të këtij komisioni për zgjedhjet në Berat dhe në Korçë e quajnë platformën si përçarëse.
Edit’h Harxhi u tregon derën firmëtarëve të platformës.
Harxhi: Absolutisht unë nuk mendoj që mund të ekzistojë ndonjë një ide për të pasur një platformë tjetër brenda partisë demokratike një platformë përçarëse dua të them, çdo lloj platforme duhet të jetë platformë brenda partisë. Ne kemi ligjëruar me statutin e datës 11 dhjetor fraksion brenda partisë dhe un mendoj që kjo është një arritje shumë e madhe.
Ndërsa Belind Këlliçi thotë se ky procesi zgjedhor ndihmon bashkimin e demokratëve.
Këlliçi: Me vullnetin e 4 kandidatëve, por edhe me udhëzimin që ka ardhur nga Komisioni i Rithemelimit për këtë proces çdo gjë është e qartë. Çdo demokrat duhet të votojë, kushdo që ka një teser nga viti '91 e deri më sot padiskutim që ka të drejtën e votës. Dhe të gjithë ata persona që lanë në listë janë demokratë me te drejtë vote. Ky proces nuk ka përjashtuar askënd nga votimi dhe sigurisht janë të ftuar të gjithë demokratët për tu bërë pjesë e këtij procesi. Ka një interes të shtuar. Të katërt kandidatët mishërojnë vlerat më të mira të Beratit.
Komisioni i rithemelimit e vlerëson pjesëmarrjen në zgjedhjet e brendshme si një vullnet për bashkim dhe rivitalizimin të strukturave të kësaj partie të përfshirë nga kriza me e madhe që prej krijimit të saj.
Këlliçi: Kemi pasur një numër rekord të demokratëve që kanë dalë dhe kanë marrë pjesë në votime. Qëllimi i vetëm i këtij procesi është rivitalizimi i strukturave dhe bashkimi i demokratëve dhe jam i bindur që në fund të këtij procesi do kemi një rezultat të pranuar nga të katërt kandidatët dhe një rezultat që do rrisë performancën e PD në Berat. Asnjë demokrat nuk do ngelet sot pa votuar.
