Tirana në garë me…veten. Bardheblutë e çojnë në 19 pikë diferencën me Laçin
Tirana siglon ndeshjen e tetë pa humbje në po kaq takime duke hedhur një tjetër hap të madh drejt titullit të 26-të kampion. Bardheblutë kaluan pa shumë vështirësi 3-0 në Rrogozhinë, Egnatian pasi e nisën sfidën menjëherë me një gol të shpejtë të Redon Xhixhës që në hyrje të zonës së rreptësisë ngriu Pujën me të djathtën fatale për vendasit.
Me kalimin e minutave, Tirana e rriti presionin dhe vazhdoi ta kontrollonte ndeshjen duke rrezikuar shumë pak përballë debutuesve. Avantazhin e bardhebluve e thelloi më pas edhe Hoxhallari në pjesën e dytë që vendosi në kasafortë fitoren e kryeqytetasve, tashmë me njërën dorë te trofeu i lakmuar. Golin e tretë e shënoi Najdovski. Pas kësaj disfate që nuk e dëmton shmë, Egnatia mbetet e qetë në zonën “play out” për momentin dhe shpreson në hapin fals të Teutës, ndërkohë që Tirana e ka çuar në 19 pikë diferencën me Laçin ndjekës.
Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Kastrioti shtangu Kukësin duke u konfirmuar skuadra e momentit në Superiore. Krutanët thyen 1-0 kundërshtarët në Kamëz në një ndeshje ku luftuan fort për të dalë me 3 pikë. Bedri Greca vendosi drejtësi në fushën e lojës për t’i dhuruar skuadrës së Çelës suksesin e 5 rresht dhe përfundimisht sigurinë e qëndrimit në Superiore. Për Kukësin, hijet e Partizanit po afrohen pasi verilindorët rrezikojnë edhe vendin e tretë, tashmë me 4 pikë diferencë nga Partizani ndjekës dhe 5 nga Vllaznia e vendit të pestë.



