Vanoli shpëtimtar për Dinamon: Skuadra nuk pëson më aq shumë…

Rodolfo Vanoli beson ende te mbijetesa edhe pse diferenca me zonën “play out’ është plot 8 pikë dhe Dinamo duhet të luajë në një transfertë të vështirë si ajo e Laçit këtë të dielë. Trajneri italian e pranon që nuk ka fituar ende asnjë sfidë, por thekson gjithashtu se skuadra ka ndryshuar edhe pse pikët mungojnë.

“Nuk është e vështirë të motivoj ekipin sepse lojtarët janë të ndërgjegjshëm për objektivin që kemi. Që kur kam ardhur unë te Dinamo, nuk kemi fituar, por më parë skuadra humbiste me rezultate të thella, ndërsa tani është më ndryshe. Kemi rikuperuar Bakajn dhe Imamin të cilët do të na ndihmojnë për 8 finalet e mbetura. Ndeshjet më parë nuk ishin të ekujlibruara. Duhet të përmirësohemi më shumë, sidomos në prapavijë sepse po pësojmë gola që mund të evitohen”, thekson trajneri.

Dinamo vjen pas një disfate të hidhur në kampionat ndaj Kastriotit dhe tashmë skuadra kryeqytetase është me një këmbë në të Parën nga ku u ngjit vetëm disa muaj më parë.