Manaj i pafuqishëm për t’i bërë dëm Interit. Vendosin Brozovic, Lautaro e Sanchez (Video)

Rey Manaj dhe Spezia nuk arrijnë të ndalin Interin për të siguruar suksesin e tretë rresht në kampionat . Në stadiumin “Alberto Pico” Interi nuk i la asgjë rastësisë duke vendosur diktatin në fushë që në topin e parë për një fitore 3-1 me gola të Brozovic, Sanchez dhe Lautaro Martinez që u konfirmua bomberi zikaltër i këtij sezoni me 15 realizime.

Në krahun tjetër, Spezia gjeti pak hapësira në mbrojtjen zikaltër dhe lëshoi shumë terren duke e lejuar Interin të dominonte në një 90 minutësh edhe pse në të 88-ën Maggiore ndezi shpresat e vendasve për një kohë të shkurtër por Sanchez sigloi edhe të tretin.

Tre pikë shumë të vyera për Interin në betejën për titullin kampion dhe një ndeshje më pak se kundërshtarët, atë në transfertën e Bolognas që në këtë pikë të sezonit mund të rezultojë vendimtare për fatet e skuadrës kampione të Serie A. Përsa i përket sulmuesit shqiptar, Rey Manaj, ai u aktivizua 60 minuta pa u shfaqur asnjëherë rrezikshëm në zonën zikaltër.