Nuk është momenti për të pushuar. Shehi kërkon Tiranë agresive

Orges Shehi nuk ka nevojë ta karikojë Tiranën edhe pse në dy javët e fundit ka vënë re shenja shqetësuese në grupin bardheblu. Trajneri i skuadrës kryeqytetase flet për mediat në prag të sfidës së të shtunës me Egnatian që mund të hipotekojë përfundimisht titullin e 26 në historinë e klubit bardheblu.

“Distanca është relativisht e madhe me ndjekësit tanë. Gara tani është me veten tonë në këto momente dhe duhet të jemi sa më shumë kërkues, që të shfaqim më të mirën tonë. Kundërshtari ka cilësi dhe ne duhet të jemi me përqendrim maksimal. Çdo skuadër ka objektivat e veta. Më parë objektivi i tyre ishte mbijetesa, tani mbase synimi i tyre është shmangja e zonës “play out”. Do të jetë një ndeshje e vështirë sepse do të luajmë në fushën e tyre. Do të përballemi me një skuadër që është për t’u respektuar dhe do të tregojmë maksimumin”.

Pas 28 javëve kampionat, Tirana kryeson me 68 pikë, 16 më shumë se Laçi ndjekës që do të presë në shtëpi Dinamon.