Kukësi rikthehet në shtëpi, pas pak ditësh hapet stadiumi modern
Kukësi do të hyjë në stadiumin e ri pas rreth 3 viteve mungesë. Klubi verilindor konfirmon datën 23 prill në ndeshjen kundër Laçit për të inaguruar arenën 8-mijë vendëshe që do të presë edhe ndeshjet e raundeve paraeleminatore të Europës. Lajmin e konfirmojnë burime zyrtare nga klubi verilindor që theksojnë se vendimi është marrë nga presidenti i nderit, Safet Gjici.
Pavarësisht faktit se tashmë jemi në fund të sezonit, skuadra kërkon të mos dështojë në betejën për vendin e dytë dhe përballja me kurbinasit konsiderohet vendimtare për këtë objektiv minimal që ekipi i Diego Longos kërkon të arrijë. Fillimisht ishte parashikuar që “Kukësi Arena” t’i hapte dyert në mesin e muajit janar por data u shty vazhdimisht për shkak të problemeve me fushën.
Katërkëndëshi i gjelbër duket se është gati ndërsa Kukësi nuk do të emigrojë më në Elbasan, Rrogozhinë, Shkodër apo gjetkë për të pritur dneshjet si skuadër organizatore.
