Vijojnë përplasjet/ Basha: Drejtësia të hetojë akuzat për “non grata”; Berisha: Peng i Ramës me “dosjen ruse”

Lulzim Basha dhe Sali Berisha, vijojnë përplasjet mes tyre. Ish-kreu i PD-së tha se drejtësia duhet të hetoje personat “non grata’, ndërsa Sali Berisha, e quajti sërish Bashën peng të Ramës me “Dosjen Ruse”. Sali Berisha tha se edhe Basha është 'non-grata' duke deklaruar se atij i është refuzuar hyrja në SHBA.

Lulzim Basha dhe Sali Berisha, vijojnë të mbajnë lart tensionin mes tyre duke mos i kursyer akuzat për  njëri- tjetrin.

Ish-kreu i demokratëve i dorëhequr pak kohë më parë, tha se organet e drejtësisë duhet të hetojnë personat e shpallur “Non Grata” duke lënë të kuptohet emrin e Sali Berishës.

"Është një pyetje që i jam përgjigjur dhe më parë dhe nuk ka nevojë të shtjellohet shumë.Nëse ka një akuzë kaq të rëndë nga një vend dhe aleat strategjik detyra e drejtësisë do të kishte qenë të hetonte prej kohësh dhe të jepte përgjigje shteruese për këto akuza."

Po vetëm pak minuta më vonë, iu përgjigj Berisha i cili e quajti sërish peng të Edi Ramës, ndërsa e akuzoi se i ka mbyllur “dosjen ruse”.

"Personi i vetëm që është në përballje me drejtësinë ndërkombëtare dhe shqiptare është Lulzim Basha. Ju duhet ta pyesni, pse Edi Rama të mbylli dosjen ruse?"

Sali Berisha, la të kuptohet se edhe Lulzim Basha është non grata në SHBA, ku tha se ai nuk rrugëton dot drejt atij vendi.

Por edhe vetë Lulzim Basha, e pranoi se nuk e ka një vizë amerikane, por tha se mund ta marr sapo ti duhet për të shkuar në atë vend e këtu përmendi ftesën e Eskobar.

"U ktheve nga Roma në Tiranë dhe nuk shkove dot në SHBA. E ka të hapur dosjen Muzin nga FBI. Nëse shkonte do përballej me ligjin, ndaj u kthye."

"Kam pasur një vizë prej kohësh dhe nëse do më duhet një vizë do ta kërkoj dhe do ta marr."

I pyetur në qoftë se do të marr pjesë në mbledhjet e grupit, Lulzim Basha,  tha se do të jetë sa herë  në axhendë do jetë avancimi i projekteve që ka nisur, ndërsa mbledhjet e fundit i ka cilësuar si mbledhje me energji të humbura.

Berisha tha ai shkon ne mbledhje i pa ftuar  dhe sillet me arrogancë me parullën  “kush nuk i nënshtrohet interesit tij nuk është demokrat”.