“Veliaj do japë llogari për gënjeshtrat”, Meta: Kryebashkiaku gënjen për bllokimin e emërimin e ambasadorëve
Presidenti Ilir Meta i ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj se ka bllokuar emërimin e ambasadorëve të Shqipërisë. Ai është shprehur përgjigjet do të jepen në komisionin e Politikës së jashtme, ku do të jetë qeveria ajo që do të japë llogari për deklaratat e pavërteta të Veliajt.
Kreu i shtetit Ilir Meta, i ka cilësuar si gënjeshtra të qëllimta akuzat e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj për bllokimin e emërimit të ambasadorëve të Shqipërisë nga ana e tij.
Në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikollës, Ministres së Jashtme, Olta Xhaçka kryetares së Komisionit për politikën e jashtme Mimi Kodhelit, ai shkruan se kjo nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të spostuar vëmendjen e opinionit publik nga situata kritike në të cilën ndodhet vendi.
Më tej ai shton se ai vetë nuk ka refuzuar apo bllokuar asnjë propozim të Qeverisë aktuale për Ambasador së Shqipërisë në ndonjë vend apo organizatë ndërkombëtare. Përkundrazi ka respektuar ligjin dhe propozimet, duke i dekretuar ato në kohë.
"Presidenti është treguar shumë bashkëpunues dhe i përgjegjshëm duke dekretuar në kohë dhe në respekt të ligjit propozimet e kësaj qeverie për Ambasadorë apo Shefa Misioni Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në vendet mike apo organizatat ndërkombëtare.
Gjithashtu Meta thekson se është i gatshëm të shkojë në parlament për të zbardhur të vërtetën, e së më pas do të jetë qeveria ajo që do të japë llogari përpara Komisionit të jashtëm Parlamenetar për deklaratat e pavërtëta të kryetarit të bashkisë së Tiranës.
“Është në nderin e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe anëtareve të tij, që këtë çështje ta bëjë jo vetëm pjesë të debatit të brendshëm, por edhe të kërkesë-llogarisë ndaj qeverisë dhe të gjithë atyre që e kanë për detyrë të respektojnë ligjin, të respektojnë trupën diplomatike shqiptare dhe dinjitetin e saj përfaqësues dhe të qartësojë të vërtetën e deklaratave dashakeqe të Kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës.”
Meta gjithashtu nënvizon se është i gatshëm për të punuar për të zhbllokuar në mënyrë të menjëhershme procesin e rifreskimit dhe emërimit të duhur të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të Shqipërisë në vendet mike dhe në organizatat ndërkombëtare.
