Si do ndiheshit nëse Ukraina futet në BE para Shqipërisë? Rama i prerë: Kjo s’mund të ndodhë, ja çfarë më shqetëson
Kreu i qeverisë Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me kancelarin Olaf Scholz, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve, nëse ndihet i shqetësuar për anëtarësimin në BE të Ukrainës përpara Shqipërisë.
Rama në fjalën e tij tha se kjo gjë nuk mund të ndodhë, por edhe nëse Ukraina do të anëtarësohej e para nuk do bëheshim xheloz.
Kreu i qeverisë u shpreh se shqetësohet se mos Ukraina mendon se mund të hyjë më shpejt, jo se do hyjë më shpejt.
Pyetje: Ukraina kërkon një procedurë të përshpejtuar për të hyrë në BE, si do ndiheshit nëse do të kenë sukses për këtë?
Edi Rama: A ndihem i shqetësuar që Ukraina mund të hyjë më shpejt në BE sesa ne? Më vë pak në pozitë sepse duhet të them të vërtetët. Unë më shumë shqetësohem se mos Ukraina mendon se mund të hyjë më shpejt, jo se do hyjë më shpejt, kështu që do u thosha dhe atyre që e ushqejnë këtë iluzion për Ukrainën që mos e përdorin atë për të shprehur entuziazmin e tyre revolucionarë në instanca të ndryshme, se nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar si funksionon BE, kjo nuk mund të ndodhë sipas meje, por dhe nëse do të ndodhte, nuk do të bëheshim xheloz.
