Rama lobon për Kosovën: Gjermania të përmbushë kërkesën për liberalizimin e vizave

Kryeministri Rama ka mbajtur një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Gjermani.

Rama teksa ka treguar se çfarë ka biseduar me homologun e tij, duke thënë se ka informuar këtë të fundit se  Ballkani i Hapur është rivitalizim i Procesit të Berlinit.

Edi Rama: Së treti në bisedimet me kancelarin ishte shprehja e dëshirës për t’I dhënë një impuls të ri procesit të Berlinit. Është një vizion i rëndësishëm për rajonin tonë, dhe është një proces që e ka më shumë se kurrë një impuls të ri. Unë informova kancelarin edhe për Ballkanin e Hapur që është një përpjekje për ta jetësuar procesin e Berlinit, duke e zotëruar si proces në mënyrë të përgjithshme. Rivitalizimi i procesit të Berlinit është e mirëpritur.

Rama në fjalën e tij, ka kërkuar që Gjermania të përmbushë kërkesën për liberalizimin e vizave me Kosovën. Sipas kryeministrit ky proces ka mbetur i bllokuar që prej shumë vitesh, ndërsa thekson se tashmë ka ardhur koha që të çlirohet.

Edi Rama: Shpresoj që Gjermania përveçse të bëjë pjesën e saj përsa i përket përmbushjes së procesit dhe pranimit nga e gjithë BE njëzëri të uljes në tryezë për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të përmbushë edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, është një proces i miratuar prej shumë vitesh, por i bllokuar. Shpresoj që të çlirohet.