Negociatat në qershor? Scholz: Do angazhohem personalisht. Rama: Jemi zhgënjyer në mënyrë të përsëritur
Kryeministri Rama dhe kancelari gjerman Olaf Scholz kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediet në Berlin. Kancelari u pyet nga gazetarët se çfarë është e rëndësishme të bëhet që Ballkani Perëndimor të mos lihet në ndikimin rus dhe çfarë do të bëjë qeveria federale që këto vende të mos e lëkundin besimin e tyre në integrimin evropian në kushtet e agresionit rus në Ukrainë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh se për sa i përket sigurisë së Evropës dhe asaj të Ballkanit përballë agresionit rus, një Bashkim Evropian i bashkuar është kusht i domosdoshëm. Kancelari tha se është e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të mbështesin njëra-tjetrën.
Scholz: Ne e treguam që mund të veprojmë të bashkuar. Kjo doli në pah edhe gjatë pandemisë së covid. Gjithë Evropa vuri në rrugë një program kundër krizës. Është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të mbështesë njëri-tjetrin. Unë do të angazhohem personalisht për këtë. Veç kësaj do të jetë e nevojshme që të kujdesemi që të jemi të fortë prandaj bashkëpunimi në NATO ka rëndësi të madhe. Në Evropën kontinentale ne jemi shteti që kemi numrin më të madh të trupave. Do ta ndjekim këtë me një fond special për mbrojtjen që ka të bëjë me financimin e ushtrisë gjermane duke dhënë kontributin tonë për gjithë Evropën. Ky bashkëpunim është vënë në rrezik nga Putin. Kufijtë janë të paprekshëm, prekja e kufijve të mos diskutohet. Putini me agresionin e tij e shkeli këtë. Është në interesin e tij dhe në interesin e të gjithëve që të vendoset një armëpushim dhe Rusia të tërheqë trupat e vet nga Ukraina.
A prisni që konferenca e parë të mbahet në qershor?
Kryeministri Rama tha se Shqipëria është zhgënjyer prej vitesh nga Këshilli Evropian. Ai theksoi se pavarësisht vendimit të qershorit Shqipëria do të vijojë të bëjë punën e saj.
Rama: Unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur që ne nuk presim asgjë në sensin që cilido të jetë konkluzioni i Këshillit Evropian në qershor kjo lidhet jo me çfarë ne kemi bërë apo nuk kemi bërë , por me sa BE do jetë në gjendje të marrë një vendim siç na takon. Jemi zhgënjyer në mënyrë të përsëritur për disa vjet. Janë dhjetëra njerëz që punojnë 24 orë në 7 ditë të javën në Shqipëri, ndërsa Këshilli Evropian merr vendime që kanë natyrë politike. Të mësuar me zhgënjimet dhe duke dëshiruar mos zhgënjehemi më, ne nuk presim asgjë përveç asaj që na takon. Nëse nuk do ta marrim nuk do mërzitemi, do vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Për arsyen se nuk e bëjmë për Brukselin e bëjmë për fëmijët tonë.
