"Vullnetarë dje, patronazhistë sot. PS, opozita e pakënaqur ndaj vetvetes me kryeprotestues Edi Ramën"


Salla e Pallatit të Kongreseve ka pritur rreth 1200 delegatët e Partisë Socialiste me një skenografi ndryshe nga më parë.

Fjalën e tij sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, e ka nisur me historikun e krijimit të PS nën peshën e një force të dalë nga Partia Komuniste.

"31 vjet më parë kur një grup intelektualësh kurajozë skicuan disa ide social-demokrate në kushtet kur barra e trashëgimisë rëndonte fort dhe shpesh padrejtësisht me to. Një nga ata qëlloi të ishte dhe im atë".

Megjithatë ai u shpreh se me mendimet social-demokrate u ngrit një forcë e fortë, teksa opozita aktualisht gjendet në vështirësi.

"Tek shohim shkërmoqjen dhe kacafytjen e kundërshtarëve ngremë pyetjen po si ka mundësi që PS si në opozitë dhe në qeverisje pavarësisht debateve dhe përplasjeve të personaliteteve ka dalë gjithmonë më e fortë".

Sekreti sipas Gjiknurit qëndron te dëgjimi i të gjithëve, por nuk harroi të vlerësonte edhe patronazhistët.

"Vullnetarë dje, patronazhistë sot, nga i riu që synon të anëtarësohet për herë të parë në partinë tonë deri tek kryetari i saj, të gjithë se bashku jemi jo thjesht zgjedhja e vetme, por e vetmja zgjidhje për Shqipërinë".

Kongresi duket se është një ndezje e motorëve për zgjedhjet vendore, të cilat mbahen pas një viti.

"Duke filluar me zgjedhjet e ardhshme lokale diktoj nevojën për adoptimin e rregullave të reja statutore".

Elisa Spiropali paraqiti rezultatet e Këshillimit Kombëtar dhe duke e cilësuar opozitën të dobët.

"Unë e konsideroj fatkeqe për Shqipërinë derexhenë ku është katandisur opozita. Ne jemi opozita gjithmonë e pakënaqur ndaj vetvetes me një kryeprotestues për kryeministër Edi Ramën".

 Ditmir Bushati në qendër të diskutimit kishte hapjen e PS.

"Kemi natyrisht përgjegjësinë ta bëjmë politikën më tërheqëse sidomos për brezin e ri".