Balla: BE të zgjohet nga përgjumja e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke folur në Kongresin e PS shkëputi një nga pyetjet e Këshillimit Kombëtar për integrimin, duke deklaruar se konteksti i ri gjeopolitik pas agresionit rus kundër Ukrainës kërkon një zgjim të BE nga përgjumja e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pothuajse 20 vite nga Samiti i Selanikut, Balla tha se Bashkimi Europian duhet t’i kthejë zgjerimit besimin.
Balla: Për mua si Kryetar i Grupit, ndihem i qetë sepse asnjë prej pyetjeve apo nismave të pyetësorit nuk kërkon ndryshime kushtetuese.Pas këtij procesi, detyra e qeverisë është t’u japim mbrapsht atë që meritojnë, përkushtimin tonë, që opinionet e tyre të kthehen në plane konkrete zbatimi.
Jam ndjerë i surprizuar pozitivisht lidhur me përgjigjet për pyetjen e 11 atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe lidhja me Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët në një shumicë dy të tretat janë shprehur pozitivisht.Konteksti i ri gjeopolitik pas agresionit rus kundër Ukrahinës kërkon një zgjim të BE nga përgjumja e tejzgjatur e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pothuajse 20 vite nga Samiti i Selanikut, është Bashkimi Europian që duhet t’i kthejë zgjerimit besimin. Ne nuk e humbim besimin sepse reformat që kemi ndërmarrë dhe do të ndërmarrim, i shërbejnë Shqipërisë.Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Pa dyshim, mbetet përpara ende një rrugë e gjatë që Shqipëria të shndërrohet në një vend anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Pyetja që shtrohet është se si e sheh secili prej nesh rolin dhe detyrën e vet në këtë proces dhe në përmirësimin, përshpejtimin e ecjes në këtë drejtim.
