Sfida për zgjedhjet vendore, PS nuk i konsideron kundërshtarët, Gjiknuri: Socialistët kanë edhe kurajon, edhe dashurinë

Me sallën e Pallatit të Kongreseve të mbushur me delegatët e PS-së, sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie Damian Gjiknuri deklaroi se me Partinë Socialiste e ardhmja është më e sigurt.

Ai kujtoi krizën e brendshme që po kalon kundërshtari i tyre politik dhe nënvizoi se PS ka dalë gjithmonë më e fortë pas përplasjeve të brendshme.

Gjiknuri: Shumë syresh kohët e  fundit tek shohin shkërmoqjen dhe kacafytjen e kundërshtarëve ngrejnë pyetjen: Si ka mundësi që PS si në opozitë dhe qeverisje, pavarësisht debateve, përplasjeve të personaliteteve, ideve ka dalë gjithmonë më e fortë e ripërtërirë se më parë? U them është shumë e thjeshtë të nderuar cinikë dhe skeptikë. Mjafton të kultivosh ndër vite njësoj si bimët kulturën e debatit dhe respektimin e ideve pavarësisht moshës dhe gjinisë, të preferosh lopatën që ndërton mbi kazmën që shkatërron, të urtësohesh kur të tjerët bërtasin, të përdorësh arsyen në vend të forcës, të jesh i përulur në manifestimin e fuqisë së pushtetit dhe të kuptosh që edhe fuqia e pushtetit ka limitet e saj që kurrë nuk lartëson as njeriun e zakonshëm dhe as udhëheqësin e lartë por nxjerr në pak vlerat dhe dobësitë. Kjo është ADN e PS. Këtu gjen përgjigje dhe pyetja se përse kemi qenë dhe mbetemi më të votuarit dhe pse jemi më të mirët. Jo më pak se tre dekada më parë të ishe socialist përballë revanshit të një të djathte të egër ishte vërtet e vështirë. Vullnetarë dje, patronazhistë sot. Jemi jo thjesht zgjedhja e vetme por e vetmja zgjidhje për Shqipërinë.

Gjiknuri tha se PS duhet të identifikojë nevojën për një bashkëveprim më të mirë mes partisë dhe përfaqësimit të saj në çdo nivel pushtetit, për të siguruar sukses dhe akses, për të prodhuar më shumë demokraci dhe mirëqënie dhe për të shmangur kurthin e partisë shtet.

Gjiknuri: Ne synojmë ta bëjmë organizatën tonë politike një shtëpi më të hapur për këdo që do të afrohet me ne dhe që kërkon të japë kontribut dhe jo të sillet si një agjent transaksional që vetëm merr mbrapsht nga kjo shoqëri.

Ai kujtoi se qënia gjatë në pushtet sjell rrezikun e vetëkënaqësië dhe rutinës duke ulur aftësinë për të ndryshuar nga brenda.

Gjiknuri: Një recetë kjo e domosdoshmë për jetëgjatësinë e një organizate politike.Fiks dje është koha të riaktivizohemi në gjithë territorin për të pasur struktura vitale. Kësaj i shërben dhe vendimmmarrja e sotme që i hap rrugën procesit të rinovimit të strukturave drejtuese në çdo degë.

Është struktura e re organizative që i shërben këtij qëllimi.Jo vetëm për të fituar zgjedhjet por për tu vetëkorrigjuar vazhdimisht dhe për të qenë një forcë e aftë për të konkuruar. Besimi i mandatit të tretë qeverisës duhet përkthyer në një përgjegjësi më të madhe.

Ndaj Gjiknuri nënvizoi se zhgënjimi i shumë njerëzve dhe të rinjve duhet ta bëjë PS-në të reflektojë për gjërat që nuk kanë shkuar mirë.

Gjiknuri: Megjithatë indiferenca dhe cinizmi thjesht i shprehur në mediat sociale nuik i ndihmon të rinjtë, të marrin vetë në dorë fatet e tyre. PS ka qenë dhe do vazhdojë të jetë e hapur për ta. Ju them të gjithë të rinjve, popullojeni sa më shumë PS. Duke qenë brenda keni mundësi ta ndryshoni me energjinë tuaj.

Në një shoqëri demokratike vendos shumica, por kjo  sipas Gjiknurit nuk do të thotë që shumicat kanë gjithmonë të drejtë.

Gjiknuri: Ndodh që e drejta qëndron dhe ana ana e pakicës, madje dhe më shumë se kaq.

E ndërsa sfida më e afërt zgjedhore e partive politike janë vendoret e vitit të ardhshëm, Gjiknuri tha se për PS nuk është problem fitorja por të jetë një kundërshtar dhe alternativë e denjë për qytetarët.

Gjiknuri: Na ndan një vit nga zgjedhjet vendore. Problemi im nuk është të mundim kundërshtarët tanë, ne duhet të fitojmë garën me ambicien dhe objektivat tona. Me bindjen se çdo gjë që arrijmë të bëjmë është shumë më pak se ajo që ne mund të bëjmë.

Fjalimin e mbylli me një shprehje të atit të socialistëve, Dritëro Agollit "Kush rreh gjoksion tremb zemrën".

Gjiknuri: Ne nuk duhet të rrahim gjoksin por ti vëmë zemrën dhe më tej sfidave të së nesërmes. Edhe punët e vogla të Atheut tonë të madh mund të bëhen shumë më mirë me kurajo, zemër dhe dashur. Socialistët i kanë të dyja, edhe kurajon, edhe dashurinë.