"Gara e PS me kohën", Spiropali sulmon PD: Po rrezikon të kthehet në dy lek parti, dy "B-të" i njëjti thelb me formë të ndryshme
Opozita zuri një vend të rëndësishëm në fjalimet e përfaqësuesve të lartë të Partisë Socialiste në Kongresin e partisë.
Ministrja, Elisa Spiropali, tha se PD por rrezikon të mbetet 2 lekë parti nga sherri mes 2 "B-ve" që janë i njëjti thelb me formë të ndryshme.
E nëse qeveria ka defekte, në gjykimin e Spiropalit kjo është pasojë edhe e opozitës së dobët që ka përballë.
Spiropali: Shumica jonë qeverisëse i ka votat dhe instrumentat e realizimit në mënyrën më të mundshme të këtyre politikave, po tani ato kanë edhe legjitimitetin dhe votëbesimin e qytetarëve shqiptarë. Ne e dimë që momenti i mbylljes së votës në kuti dhe nxjerrja prej saj fitues e PS dhe në mandatin e saj të tretë historik nuk është fundi i një rruge por përkundrazi është vetëm fillimi i shërbesës tonë. Duke nisur nga mandati jonë i dytë opozita ka qenë atipike. Tre vjet më parë opozita doli nga sistemi dhe u fragmentarizuar më tej. Ka pasur shumë zëra dhe nga ne, zëra publikë, që e konsideruan fat për shumicën e majtë. Por edhe tani spiralja e shëmtuar e luftës së brendshme të PD, kriza ciklike që ka shoqëruar humbjen ciklike të saj e ka bërë opozitën më të dobët, e ka shndërruar atë nga qortuese problemesh në problem që duhet zgjidhur, e ka kthyer nga pol ekuilibrues dhe kontrollues të pushtetit në një pushtet të pakontrolluar nga vetëdija politike dhe të çekuilibruar.
Madje dhe më keq se kaq, duke e bërë atë si kurrë më parë shkak për frymëzime tmerrësisht të dëmshme për orientimin gjeostrategjik të Shqipërisë. Shumë e kanë menduar situatën në atë parti si një kusht që garanton qeverisjen tonë të qetë, edhe më skeptikët ndaj të majtës, edhe ata që janë kritikë të ashpër ndaj nesh nuk i shohin ata si alternativë qeverisëse. Kush nuk vë dot rregull në shtëpinë e tij e ka të pamundur të kujdeset për Shqipërinë, shtëpinë tonë të përbashkët. Politika e spicave dhe e thikave, vallet me shkopa nën rrota dhe rrokullisja gjithmonë e më në beter, nguti drejt ekstremit dhe vënia e grupit në funksion të individit të ndëshkuar ekstremisht është dënimin që PD i ka bërë PD. Dy "B-të" e PD janë i njëjti thelb me formë të ndryshme, e njëjta monedhë e hedhur në hava që si të bjerë në një anë, si të bjerë në anën tjetër, nuk ndryshon asgjë në mentalitetin e tyre humbës, egoist dhe apolitik.
Duke rrezikuar seriozisht që nga 200 lekë që kushtonte hipoteka e vulës të bëhet siç po thonë ata vetë, 2 lekë parti. Kontrasti ynë me ta është shumëplanësh. Ne ju drejtohemi dhe tërheqim opinionin dhe vendimmmarjen të mbi gjysmë milioni shqiptarësh, ata vazhdojnë të therren se çfarë kishte në mëndje gjykatësi i vetëm për varenë, bravën, çelësin e ndërtesës buzë Lanës. E konsideroj fat të keq për Shqipërinë derexhenë ku është katandisur opozita. Nuk është e vërtetë që një opozitë e dobët është hipotekë për shumicën përballë saj, është krejtësisht e kundërta.
Një opozitë e dobët frymëzon një qeverisje të tillë dhe jep më shumë shanse të jetë arrogante, në këtë grackë ne nuk kemi rënë dhe nuk do të biem. Na duhet poli qytetar. Ne socialistët sot nuk jemi zgjedhja më e mirë por zgjidhja e vetme. Jemi të vetëdijshëm që duhet të jemi edhe qeverisës të përgjegjshëm, edhe opozitë e ashpër me mënyrën si qeverisim. Jemi opozita gjithmonë e pakënaqur ndaj vetes me njëkryeprotestues për Kryeministër, të bindur se asnjë qeveri në Shqipëri përfshirë dhe tonën nuk e meriton këtë popull energjik dhe të jashtëzakonshëm.Gara jonë është me kohën. Ne kemi ndryshuar Shqipërinë, do ndryshojmë dhe veten.
