Dautaj lihet në burg, avokati: Do të vetëdorëzohej, nuk ka lidhje me trafikun e kokainës në banane

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Eduard Dautin, pronarin e kompanisë së bananeve “Alba Excotic Fruit”. Dauti ishte në arrati prej 8 muaj dhe është kapur në Tiranë pak ditë me parë, por sipas avokatit Baftjar Rusi, ai po bëhej gati të vetë-dorëzohej.

Avokati i Eduard Dautit, pronarit të kompanisë “Alba Exotik Fruits” në Tiranë, pas dhënies së masës së sigurisë tha se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për kokainën në banane.

Sipas tij, klienti i tij nuk është dorëzuar më herët për shkak të problemeve shëndetësore dhe theksoi se ai kishte ndërmend të dorëzohej.

Avokati shtoi se klienti i tij është bashkëpunues me prokurorinë dhe se kërkoi që të jepej një masë më e zbutur se ajo e arrestit me burg.

Avokati: Atë ditë që është kapur nga policia ai ishte nisur për të dorëzuar dhe për të dhënë shpjegime lidhur me procedurën e punës së kompanisë. Shkaku që nuk është dorëzuar është sepse ka pasur një situatë shumë të rëndë shëndetësore. Një javë para se të dorëzohej ai është ndaluar nga policia që e trumbeton si një sukses të madh, kur ai vetë do të vinte dhe të dorëzohej dhe do të njoftonim edhe prokuroren.

Sot ishte një seancë pyetjesh për verifikimi ne dhe komunikimin e masës së sigurisë. Ne e kemi bërë publike rastin e kompanisë sepse të kemi të bëjmë me futjen shumë ndryshe të lëndës së kokainës në kontejnerë përmes ventilimit. Kjo fillon qysh nga shoqëria që e përgatit produktin dhe siguria e portit dhe transportit që mbajnë përgjegjësi. Rasti i sotëm ishte pyetje dhe procedura e kodit penal. Gjykata përpos ekzekutimit të masës, kishte mundësi që të thyente masën e arrestit me burg dhe të linte një masë më të zbutur.

Rusi tha se klienti i tij nuk kishte dijeni për sasitë e lëndëve narkotike dhe se kjo ishte një luftë për goditjen e biznesit të tij.

"Ka prova se Dautaj dhe vëllai i tij nuk kanë asnjë lidhje me rastin. Ne kemi qenë shumë bashkëpunues me prokurorinë dhe kemi dhënë të gjitha provat e nevojshme. Për ne ka të bëjë me rrjetin e trafikantëve me një numër shumë të madh shqiptarësh që janë të instaluar në shtetin e Ekuadorit dhe mund të ketë lidhje me krimin e konkurrencës pasi ai kishte 12 vjet në treg dhe ishte një kompani që ishte e shëndetshme dhe kishte një rend shumë të mirë në pikë pamjen e funksionimit edhe të korrektësisë së punës"

Eduart Dauti është administrator dhe aksioner me 90% i kompanisë “Alba Exotic Fruit”. 10% të aksioneve i ka vëllai i tij Barjon Gumeni, i arrestuar në 13 korrik 2021, pas kapjes së ngarkesës së radhës me kokainë në kontejnerin e kompanisë.

Në kontejnerët me banane që vinin nga Amerika Latine në Portin e Durrësit të porositura nga kompania “Alba Exotic Fruit” u gjetën sasi kokaine në gjashtë raste të ndryshme. I fundit ishte ai i 12 tetorit 2021 që u kapën 10 kilogramë kokainë.

Më herët, në 7 shtator u kapën 7.7 kg, në 13 korrik u sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera. Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën 7.25 kilogramë kokainë.