Me litarë dhe barrelë, pamje nga operacioni i shpëtimit të turistit 24-vjeçar polak nga Kanionet e Gjipesë

Ky është momenti kur shërbimet e Policisë, shërbimet zjarrfikëse, falë ndihmës së një alpinisti nga Vlora, në një shkallë të lartë vështirësie dhe rreziku për jetën, bënë të mundur nxjerrjen, nga kanionet e Gjipesë, e një turisti polak.

24-vjeçari, A. P, kishte telefonuar një ditë më parë, 8 prill, në Sallën e Komandës dhe të Kontrollit në DVP Vlorë, i cili kishte kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ishte rrëzuar në vendin e quajtur “Kanionet e Gjipesë” dhe kishte pësuar frakturë në njërën këmbë.

Menjëherë në drejtim të tij u nisën shërbimet e Policisë Himarë, MNZ Himarë, Delta Forca, një mjet i Urgjencës Mjekësore, si dhe alpinisti Kosta Xhaho.

Pas një pune profesionale në kushte të larta të rrezikshmërisë për jetën, për shkak të terrenit mjaft të vështirë, dhe duke treguar kujdes që turisti të mos dëmtohej më shumë, paraditen e sotme, u bë e mundur nxjerrja e shtetasit polak dhe transportimi i tij për ndihmë mjekësore.

Shtetasi polak A. P. është aktualisht jashtë rrezikut për jetën.