Hoxha në OKB: Të presësh që Rusia të pranojë dhe thotë të vërtetën, si të presësh që të vijë Godoja

Lufta Ukrainë-Rusi ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës. Në mbledhjen e OKB-së, përfaqësuesi shqiptar, Ferit Hoxha, ka dënuar masakrat ruse në qytetin e Bucha-s, duke i kërkuar Moskës të marrë përgjegjësitë.

Masakra në Bucha të Ukrainës është kthyer në një temë debati në mbledhjen e radhës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Rusia ka mohuar që ushtarët e saj të jenë autorë të këtyre krimeve makabër.

Por këto pretendime u kundërshtuan fort nga përfaqësuesit e shteteve të tjera në OKB, një prej tyre ishte dhe Ferit Hoxha, ambasadori i Shqipërisë në  këtë organizatë ndërkombëtare.

Hoxha: Imazhet e civilëve të ekzekutuar me një plumb pas koke,  ndonjëherë me duar të lidhura pas shpine ose të vrarë mbi biçikletë; imazhet e varrezave masive të tejmbushura me kufoma. Imazhe amsakrash dhe shkatërrimesh, përfshirë shtëpitë e plaçkitura, përdhunime dhe dhunëseksualejanë akte që u atribuohen vetëm banditëve.Ato burojnë nga të njëjtat impulse mizore si bombardimet e qyteteve, shtëpive, spitaleve, shkollave dhe kopshteve nga forcat ruse. Bucha është një varrezë në qiell të hapur, fytyra famëkeqe e agresionit.

Duke iu drejtuar përfaqësuesit të Moskës, Hoxha theksoi se me inskenimet, Kremlini mund të mashtrojë vetëm mediat ruse, por jo imazhet satelitore dhe raportimet e gazetarëve të pavarur.

Hoxha: Ju mund tu mbyllni gojën mediave në shtëpi, por nuk mund të mashtroni imazhet satelitore, nuk mund të verboni gazetarët e pavarur dhe OJQ-të e të drejtave të njeriut në terren. Të presësh që Rusia të pranojë dhe të thotë të vërtetën, është sikur të presësh që të vijë Godoja.

Sipas Hoxhës, pavarësisht se Rusia ka zgjedhur ta përjashtojë veten nga e drejta ndërkombëtare, ushtria ruse dhe komandantët e saj nuk mund t'i shpëtojnë përgjegjësisë.