Kishte groposur armë dhe gëzhoja, arrestohet në Greqi shqiptari i dënuar më parë për vjedhje
Një 40-vjeçar shqiptar është arrestuar në Greqi, pasi kishte fshehur një numër të konsiderueshëm armësh në Follorinë.
Sipas mediave greke, shqiptari kishte groposur armët 6 muaj më parë në një zonë malore të Follorinës.
Ai është arrestuar pasi është parë nga autoritetet duke gërmuar tokën. Shqiptari identiteti i të cilit nuk është publikuar së bashku me një person tjetër kishin fshehur katër pistoleta, dhe 26 gëzhoja.
Armët u konfiskuan dhe u dërguan për ekspertizë balistike.
40-vjeçari u dërgua në Prokurorinë Publike të Follorinës, i akuzuar për shkelje të legjislacionit për armët ndërsa hetimet paraprake vijojnë për përcaktimin e origjinës së armëve. Sakaq ai rezulton gjithashtu i shpallur në kërkim, i dënuar me 7 muaj burg nga Gjykata e Selanikut për “vjedhje”.
Gjithashtu lidhur me trafikun e armëve është shpallur në kërkim edhe një tjetër shtetas shqiptar, bashkëpunëtor i 40-vjeçarit.

