Eksperti italian i ekonomisë: Do të mungojë vaji i lulediellit, vendet në zhvillim rrezikojnë një "pranverë arabe" nga rritja e çmimeve
A jemi vërtetë në prag të një krize ushqimore globale? Pse janë ngritur kaq shumë çmimet në tregjet ndërkombëtare e si rrjedhë dhe në ato lokale? Cilët produkte ushqimore janë më në risk nga kjo situatë?
Çfarë duhet të bëjnë qeveritë për të garantuar sigurinë ushqimore, e a është i justifikaur alarmizimi i qytetarëve?
Kur kemi hyrë në muajin e dytë të luftës në Ukrainë, kriza e siguria ushqimore shfaqet si një nga pasojat më alarmuese të saj.
Mbi çka po ndodh në tregun ushqimor botëror e italian jemi përpjekur ta analizojmë në një intervistë me ekspertin e ekonomisë së Konfederatës Kombëtare Italiane të sipërmarrësve agro bujqësorë Lorenzo Bazzana.
Për ekspertin italian qeveritë duhet të kenë një strategji të caktuar për të evituar varësinë nga eksporti e vendet në zhvillim mund të rrezikojnë një "pranverë arabe", nga rritja e çmimeve.
Alba Kepi: Plot një muaj nga nisja e luftës në Ukrainë e tregjet ndërkombëtare ushqimore e ato lokale po kalojnë një moment "të çmendur" të rritjes së çmimeve. Çfarë po ndodh?
Lorenzo Bazzana: Po përgjigjem duke bërë një hap pas. Para se të niste lufta kishte nisur një rritje e çmimeve të mjaft produkteve ushqimore, sidomos i drithërave. Qysh në muajin dhjetor u ndeshëm me rritjen me 40%, 60%, e deri me 70% të miellit në tregun ndërkombëtar. E kjo rritje pati si shkak pandeminë, rritjen e çmimit të energjisë si dhe për shkak të grumbullimit që Kina po bënte prej muajsh me rezerva të drithërave. E ku fakt influencoj në turbullimin e tregut. Më pas, pra një muaj më parë me nisjen e luftës, situata u komplikua më shumë. Rusia e Ukraina prodhojnë mbi 30% të drithrave që më pas tregtohen në tregjet botërore.
Alba Kepi: Për të gjitha këto motive që ju thatë më sipër cilët janë produkte ushqimore që mund të vuajnë më shumë nga kjo krizë?
Lorenzo Bazzana: Duke pasur si këndvështrim Italinë, ky vend importon na Rusia e Ukraina mbi të gjitha vaj luledielli. 80% e vajit të lulediellit që përdor Italia vjen nga Ukraina e ky vajn ka marrë shumë rëndësi në vitet e fundit pasi ka zëvendësuar vajin e palmës në shumë produkte furre si biskota, merendina, etj. Një tjetër produkt në risk është misri. Italia 15% të nevojave të saj me misër i merr nga Ukraina e që është i domosdoshëm për nevojat zeoteknike. Gjithashtu nga këto vende importojmë 6-7% të grurit të zakonshëm e situata mund të bëhet preokupuese nëse Hungaria si vend kryesor i furnizimit me drithëra për Italinë të vendoste të mos eksportonte më.
Alba Kepi: Insistoj me pyetjen time pasi dhe gjatë orëve të fundit e sidomos gjatë samiteve të fundit të rëndësishme në Bruksel, liderë botërorë deklaruan për një vëmendje e aksion konkret ndaj riskut të një krize ushqimore. Çfarë duhet të kuptojmë dhe nga këndvështrimi i një qytetari të thjeshtë që nuk analizon ecurinë e tregjeve botërore?
Lorenzo Bazzana: Është e qartë se të gjitha vendet janë të preokupuar nga kjo situatë sepse Ukraina ka deklaruar se mund të mbjellë vetëm rreth 50% të sasisë së drithërave që mbillte më parë, pra në tregje do të mungojë furnizimi me drithëra nga Ukraina. Gjithashtu është problemi i thatësirës që prek shumë vende të Bashkimit Europian. Institucionet e Bashkimit Europian kanë pezulluar së fundmi regjimin e set-aside të 1988, që vendoste që çdo vend anëtar të mbillte një kuotë të caktuar me drithëra e prodhime bujqësore e ky fakt do të lejojë të shfrytëzojmë më shumë tokat tona e të mbjellim më shumë produkte për të cilat kemi nevojë. Një tjetër nevojshmëri që turbullon tregjet është mungesa e plehrave kimikë, pasi si Rusia, Bjellorusua dhe Ukraina janë prodhues të madh të tyre e mungesa e plehrave kimikë në treg mund të influencojë shumë reduktimin e kultivimit të drithërave e pordukteve bujqësore.
Alba Kepi: Një alarm që vjen nga qytetarët është spekullimi me çmimet. Sa e vërtetë është kjo? Pra a janë vërtetë spekullime që vijnë nga një kategori sipërmarrësish e prodhuesish apo është e justifikuar kjo rritje çmimesh?
Lorenzoa Bazzana: Më shumë se spekullim nga ana e sipërmarrëve apo prodhuesve unë do ta quaja një spekullim me aksionet e shitblerjes së drithërave e produkteve të tjera në të ashtuquajturën bursa ushqimore. Ka nga ata që të frikësuar nga ecuria e bursës në përgjithësi kanë investuar në shitblerjen e aksioneve të këtyre produkteve. Kjo gjë mund e ka influencuar çmimet e tregut.
Alba Kepi: E sipas jush çfarë duhet të bëjnë qeveritë për të mbrojtur tregun e tyre?
Lorenzo Bazzana: Së pari duhet të stimulojnë mbjelljen e produkteve në krizë, të nxisin mbjelljet e produkteve që për shkak të çmimeve të uëlta, vite më parë nuk janë prodhuar më. E kjo do të kompesojë mungesat që mund të priten në muajt e ardhshëm,
Alba Kepi: Nga kjo krizë ushqimore e çmimesh, thuhet se vendet më të prekura janë vendet në zhvillim. Sa e vërtetë është kjo?
Lorenzo Bazzana: Po sigurisht, vende në territorin e Mesdheut jugor janë veçanërisht të shqetësuar. Kemi parë se si pranvera arabe shpërtheu si pasojë e rritjes së çmimit të drithërave e me rrjedhë rritjen e çmimit të bukës. Është absolutisht strategjike të ketë një bollëk rezervash produktesh ushqimore për të gjithë, ndryshe kriza mund të gjenerojë në lëvizje politike e rrëmuja sociale. Pra është strategjike që çdo vend të sitmulojë mbjelljen e produkteve në territorin kombëtar për të pasur sa më pak varësi nga jashtë.
Alba Kepi: Një alarm që vjen nga Federata juaj është se me këtë krizë ushqimore Italia do të ketë 2.6 milionë të varfër më shumë. Janë të varfërit e personat në vështirësi ekonomike më të prekurit nga kjo krizë?
Lorenzo Bazzani: Është e qartë se problemi kryesor është çmimi. Nëse këto tensione që ekzistojnë në tregje do të shkarkohen plotësisht në çmimet e shitjes me pakicë, është e qartë se personat më të dobët, më të varfër mund të kenë më shumë probleme për t'u ushqyer. E rëndësishme që në një situatë të tillë të aktivizohet politika sociale, apo fushata ndihmëse, mensa për t'i garantuar kësaj kategorie paketën ushqimore ditore.
Alba Kepi: E mbyll me një pyetje praktike, ka ditë që supermerkatat janë mbushur nga qytetarë që ekzagjerojnë në blerjen e ushqimeve me frikën se nesër nuk do ta gjejnë më, ka ditë të tjera që vetë supermerkatat kanë mungesë të produkteve të caktuara. A është i justifikueshëm ky panik?
Lorenzo Bazzano: Mendoj se duhet të mbizotërojë mirëkuptimi Nuk jemi në një situatë shqetësuese. Rezerva kemi e nuk është e nevojshme të boshatisim supermerkatet. Është e qartë se disa produkte mund të mungojnë si vaij i lulediellit që vjen nga Ukraina, por për prduktet e tjera kemi rezervat e duhura. Dhe i vetmi problem që mund të justifikojë këtë sjellje janë çmimet në rritje, por jo mungesa e produkteve.
