Kim takoi Alibeajn, ambasadorja: Ja çfarë u diskutua me kryetarin e komanduar të PD-së

Pas përfundimit të takimit me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, ambasadorja Yuri Kim ka reaguar në Twitter në lidhje me atë që u diskutua.

Ambasadorja Kim e quan Alibeajn kryetar të komanduar të PD-së dhe shkruan se kanë diskutuar për një mori çështjesh.

"Diskutim shumë i mirë sot me kryetarin e Komanduar të PD-së dhe kryetarin e Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj për një gamë të gjerë çështjesh. SHBA ka pasur një marrëdhënie speciale me PD që nga lindja e saj. Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe shpresojmë se vetëm do të forcohet. SHBA dhe Shqipëria kanë shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracinë, ndërtimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit ekonomik për të gjithë. Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa", shkruan Kim në Twitter.

Takimi i cili u zhvillua me dyer të mbyllura filloi rreth orës 11:30 dhe zgjati rreth 30 minuta. Ditën e djeshme, ambasadorja Kim zhvilloi një takim edhe me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla në Kryesi.