Mjekuan Nuredin Dumanin dhe nuk kallëzuan në polici, arrestohen dy mjekë e 1 ndihmësmjek

Dy mjekë dhe një ndihmësmjek janë arrestuar mbrëmjen e sotme pasi dyshohen se kanë ndihmuar Nuredin Dumanin për të mjekuar plagën dhe rastin nuk e kanë referuar në polici.

Të arrestuarit janë Julian Mala, Ermal Gjeci dhe Bledar Berdalli.

Ata akuzohen për moskallëzim krimi. Mësohet se aktualisht po merren në pyetje po zbardhet edhe roli i secilit mjek.

Arrestimi i mjekëve dhe ndihmësmjekut u bë pas kqyrjes së kamerave të sigurisë në zonën ku është bërë arrestimi i Dumanit.

Nuredin Dumanit i është gjetur edhe një celular i enkriptuar.

I shumëkërkuari Dumani, mori një plumb në shpatull pas shkëmbimit me armë zjarri me Talo Çelën në pranë fshatit Papër, në Elbasan.

Forcat RENEA dhe policia e Fierit bënë të mundur arrestimin e shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i akuzuar për disa vrasje, mbrëmjen e të martës, 29 mars. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dhe Henrik Hoxhaj e Mirjetë H.

Dumani u kap apartament në një pallat në lagjen "Apolonia" në Fier, ku dhe po mjekohej për plagët që kishte marrë.  

Operacioni për kapjen e tij nis pas një atentati të dështuar rreth orës 17:35 të 29 marsit 2022 pranë fshatit Papër, në vendin e quajtur "Ura e Zezë", në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër,  e cila të lidh me qytetin e Cërrikut. 

Bashkë me të u shoqërua edhe një vajzë e re dhe 40-vjeçari Henrik Hoxhaj.

Ky i fundit u kap me pistoletë në brez dhe besohet se është njeriu që transportoi Dumanin pas atentatit në Elbasan drejt Fierit ku ai kishte ngritur një strehë sigurie. Aty u gjetën edhe armë.

Nuredin Dumani dyshohet se ishte në Elbasan pasditen e së martës, 29 mars, për të kryer një atentat.

Por misioni kriminal besohet se ishte dekonspiruar dhe “Hija”, siç njihet ai në botën e krimit, ishte shitur nga persona të besuar tek rivalët.

Në fshatin Papër, ai ra pre e një sulmi me breshëri arme zjarri ndërsa udhëtonte me makinën tip BMW që rezultoi se ishte e vjedhur. 

Dyshimet janë se atentati mund të jetë vazhdim i përplasjes me ish-mikun Talo Çela, por ky i fundit thuhet se nuk ka qenë vetë i pranishëm.

Njoftimi i policisë së Elbasanit

Në vijim të veprimeve hetimore në kuadër të operacionit policor të koduar “Arratia”, i realizuar më datë 29.03.2022, nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me forcat RENEA, Departamentin e Policisë Kriminale dhe DVP Fier, për kapjen dhe arrestimin e shtetasit në kërkim Nuredin Dumani, i dyshuar për kryerjen e disa vrasjeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

J. M., 43 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

B. B., 41 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

E. Gj., 36 vjeç, banues në Fier, me profesion ndihmësmjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

Gjithashtu, në kuadër të këtij operaconi është bërë arrestimi i shtetasve:

H. H., 40 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

M. H., 20 vjeçe, banuese në Kosovë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

Po në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndaj shtetasit Nuredin Dumani, 35 vjeç, banues në Durrës, e cila i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan është duke hetuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, lidhur me dyshimet për përfshirjen e shtetasit Nuredin Dumani, në vepra të tjera penale apo të lidhjeve të tij me aktivitetet kriminale, me qëllim dokumentimin me prova ligjore dhe zbardhjen e plotë të ngjarjeve për të cilat ka dyshime se ky shtetas mund të jetë autor.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.