Incineratorët, Tabaku ndryshe nga Kryeministri: Përgjegjësia kolektive. Rama i vendosi në lista për deputetë duke ditur akuzat

Kryetarja e Komisionit Hetimor për incineratorë dhe deputetja e PD Jorida Tabaku është shprehur se hetimet për aferën e incineratorëve janë në proces ndërsa shton se në padinë që është dorëzuar në SPAK personat e përfshirë janë të gjithë pjesë e politikës.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Tabaku tha se SPAK ka zgjeruar hetimin për personat e tjetër të përfshirë në këtë aferë.

Jorida Tabaku: Unë gjykoj se ndoshta hetimet janë në proces, gjykoj se ka akoma shumë informacion për të përpunuar. Në padinë që kemi dorëzuar si pjesë e punës së Komisonit Hetimor, janë të gjithë personat politikë ku përfshihet Lefter Koka dhe Alqi Bllako, po njëkohësisht administratorët e kompanisë, ku duhet të përfshihet edhe Loran Dusho. Është edhe Etleva Kondi, Pëllumb Abeshi, Erion Murataj. Janë të gjithë të përfshirë në padinë tonë. Gjykoj se duhet zgjeruar hetimi dhe me personat e tjerë.

Tabaku ndryshe nga Edi Rama, tha se përgjegjësia për këtë aferë është kolektive dhe jo individuale siç deklaroi numri një i qeverisë në një deklaratë për mediat pak minuta më parë.

Jorida Tabaku: Nuk ka asnjë përgjegjësi individuale, përgjegjësia në këtë rast është kolektive dhe unë për këtë arsye kërkoj që të hetohet një grup i strukturuar kriminal. Të gjithë kanë marrë vendimet në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Askush nuk do të kishte bërë 17 vendime procedura brenda një dite nëse nuk do kishte mbështetjen e të paktën 4 ministrave dhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë. Çudia më e madhe është se Kryeministri nuk ishte në dije  edhe para 6 muajsh kur i vendosi këto persona në listat e deputetëve edhe pse këto akuza ishin publike që atëherë.

Ajo ka treguar edhe shkallën ku ndodhet hetimet bazuar në informacionin që ka marrë nga SPAK.

Jorida Tabaku: Në komunikimin e fundit që ne kemi pasur me SPAK, me inineratorin e Elbasanit është ecur më përpara, incineratori i Fierit ishte në një fazë të hetimeve, ndërkohë incineratori i Tiranës në një fazë më të hershme të hetimeve. Gjykoj që çështja është e njëjtë.

Përgatiti Anila Kolgjini.