Në facebook shkroi se do hiqte dorë nga mandati, por Alqi Bllako ende s' e ka zyrtarizuar
Alqi Bllako ende nuk e ka zyrtarizuar dorëheqjen e tij në kryesinë e Kuvendit. Në orët e vona të ditës së djeshme përmes një postimi në facebook ai deklaroi se ishte gati të jepte dorëheqjen nga mandati por ende kjo kërkesë nuk është dorëzuar në zyrën e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.
Nëse ai do të vijë para orës 18:00, atëherë mund të mos ketë mbledhje të Këshillit të Mandateve informon gazetarja e Ora News Fjorela Beleshi.
"Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik. Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t'i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë! Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen!" shkruante dje Bllako ne facebook
Sot në orën 17:00 kryeministri, njëkohësisht kryetari i PS-së Edi Rama do të mbledhë kryesinë e PS-së për të diskutuar për këtë çështje. Psa largimit të Alqi Bllakos mandatin e deputetit e merr Pandeli Majko.
Mesditën e djeshme një agjent i Byrosë Kombëtare ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako.
Sipas SPAK nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
Gjithashtu Bllako akuzohet edhe për procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inciniratori i Fierit.
