Konflikti me 2 të plagosur te rrethrrotullimi i Saukut, në pranga i kërkuari i fundit, xhiroi gomat para policisë

Vihet në pranga edhe personi i fundit i shpallur në kërkim lidhur me konfliktin e 27 marsit te rrethrrotullimit të Saukut ku mbetën të plagosur 2 persona.

Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga 27-vjeçarin M. Xh, banues në Tiranë, i akuzuar për veprat penale "Vrasja me dashje" e mbetur në tentativë dhe "Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta".

"Ky shtetas është shpallur në kërkim nga Komisariati Nr. 1 Tiranë, pasi në datën 27mars 2022, në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, Tiranë, së bashku me 3 shtetas të tjerë (të arrestuar më parë) janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe si pasojë janë dëmtuar me mjete të forta dy prej këtyre shtetasve".  

Pas shenjës për ndalim nga shërbimet e Policisë, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në dy pikat e kontrollit, shtetasi M. Xh. nuk e ka ndaluar automjetin e tij dhe është larguar me shpejtësi.   

Menjëherë i janë vënë në ndjekje shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, të cilat pas disa minutash bënë të mundur kapjen e tij.   

Shtetasit M. Xh. iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit Nr. 1 Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.