Urdhër-arresti nga SPAK, dorëhiqet Alqi Bllako: Nesër dorëzoj mandatin, përballem me akuzat si njeri i thjeshtë

Alqi Bllako lë mandatin e deputetit.

Lajmin e ka bërë me dije, vetë Bllako në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, thotë se ditën e nesërme do i dorëzojë mandatin si deputet, Kryetares së Kuvendit

Ai thotë se nuk e ka mburojë mandatin e deputetit ndërsa shton se do të provojë të vërtetën para Gjykatës. Bllako shprehet se do të përballet me akuzat si një njeri i thjeshtë. 

Postimi i plotë: 

Të nderuar miq!
Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar!
Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë.

Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik. Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t'i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë! Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen!

Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!

Mesditën e sotme një agjent i Byrosë Kombëtare ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako.

Sipas SPAK nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.

Gjithashtu Bllako akuzohet edhe për procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceniratori i Fierit.