Qiraxhi distancohet nga incidenti në protestë: Nënë Liza ka qenë frymëzim për qëndresën e qytetarëve në shesh

Aktivisti, Migen Qiraxhi, distancohet nga incidenti i një dite më parë në protestën para Kryeministrisë për rritjen e çmimeve.

Protagoniste u bë nënë Liza dhe një zonjë tjetër e paidentifikuar.

Kjo e fundit tërhoqi nënë Lizën nga mikrofonët që i kishin drejtuar mediet ndërsa ajo shpërfaqte problematikën e saj për të cilën bën qëndresë prej kohësh.

I ftuar në "Ditë e Re" në Rtv Ora, Qirazhi tha se nuk e njeh zonjën ndërsa shtoi se respekton qëndresën e saj dhe banorëve të "5 Majit."

"Ditën e djeshme pati një incident të panevojshëm dhe ne kemi mundësi të distancohemi. Nënë Liza ka qenë pjesë apo frymëzim për qëndresën e qytetarëve në shesh dhe mendoj se si ajo nënë fisnike të ishin të gjithë të rinjtë e vendit do të kishte një vlerë më të shtuar dhe do të kishim një zë më të fuqishëm. Sigurisht që në atë shesh ka individë, nuk jemi në dasmë atje dhe thërrime ka. Do të duhej të evitohej ai moment por për shkak të një vendimi që morëm se nuk do të kishte fjalime dhe mikrofona e kishim të pakontrolluar pjesën se kush komunikonte me kamerat. Kemi qenë të nderuar kur nënë Liza në 8 ditë ka mbërritur në atë shesh dhe i është dhënë fjala pa asnjë mëdyshje, edhe jashtë radhës për të respektuar moshën e saj, finsikërinë dhe qëndresën e saj.Gjejmë rastin të distancohemi nga ai akt që ishte jashtëzakonisht i nxituar dhe i pakuptimtë nga ai individë që personalisht nuk e njoh. Vlen të theksohet se ne e vlerësojmë shumë edhe nënë Lizën dhe problemin që ajo përfaqëson për qindra qytetarë me banorët e "5 Majit".