Vlora nën tymin toksik, kryebashkiaku Leli: Shpëtojmë para sezonit me hapjen e landfillit

Vlora u gjend sërish këtë të mërkurë nën tymin toksik të cliruar nga djegia e mbetjeve urbane në vendgrumbullimin që ndodhet në periferi të qytetit. Kryebashkiaku Dritan Leli tha se qyteti do të shpëtojë nga kjo situatë vetem me hapjen e landfillit të ri të sherishtës, ndoshta para sezonit turistik.

Shtëllungat e tymit toksik të çliruar nga djegia e plastikës mbuluan periferinë e Vlorës të mërkurën.

Qyteti u zgjua me fushën e mbetjeve urbane në flakë nga një zjarrvënie e dyshuar e qëllimshme.

Banorët e lagjes “Kushtrimi”, që ndër vite janë detyruar të bashkëjetojnë me këtë situatë thonë se jetojnë me dritare të mbyllura për shkak të ndotjes.

"Shumë e vështirë, nuk ika më keq. Për fëmijët më shumë."

Forcat zjarrfikesë dhe ato të shërbimeve pranë Bashkisë Vlorë arritën rreth mesditës të vënë flakët nën kontroll.

"Ka shumë njerëz që kalojnë në këtë zonë."

Kryebashkiaku, Dritan Leli, tha se Vlora do të shpëtojë nga kjo situatë vetem me hapjen e landfillit të Sherishtës.

"Shpresojmë shumë që para sezonit turistik landfilli i Sherishtës të jetë i përfunduar dhe të jetë në dispozicion në mënyrë që kjo pikë gangrenë e mbetjeve urbane e vendosur prej dhjetëra vitesh këtu të zhvendoset në një trajtim modern të mbetjeve."

Verën e kaluar Durrësi, Shijaku, Fieri e Lushnja u përballën me krizë të menaxhimit të mbetjeve urbane, duke i detyruar të lidhin kontrata me incineratorët e Fierit e Tiranës.