"Si ndihet njeriu në shtëpinë e vet?" Grupi i Rithemelimit mban mbledhjen e parë në selinë e PD në Elbasan
Demokratët e Grupit të Rithemelimit në Elbasan janë rikthyer në shtëpinë e tyre, në selinë blu nga ku është mbajtur takimi i parë në kuadër të zgjedhjeve që po kryhen brenda strukturave të kësaj force.
"Është mbledhje në vazhdim të organizimit të zgjedhjeve të brendshme në PD për të shkuar më pas në Kuvendin e 30 prillit që do jetë një Kuvend statutor, por edhe zgjedhor në disa nivele".
Në nisje të takimit deputeti Luçiano Boçi, i cili ishte ndër të parët që iu bashkua Foltores, u shpreh i lumtur për rikthimin në shtëpinë e demokratëve, duke shprehur bindjen se si pasojë e këtij aksioni së shpejti PD do të marrë drejtimin e vendit.
"Si ndihet njeriu në shtëpinë e vet, komod, pse jo i gëzuar dhe i rrethuar nga miqtë, ata njerëz me të cilët ndan idealet, problemet, pse jo idetë dhe vizionet politike për të ardhmen për të realizuar atë që gjithë demokratët e duan, ardhja e PD në drejtimin e vendit. Gjë për të cilën ne jemi duke u organizuar, duke punuar, duke u bashkuar dhe në një të ardhme të afërt duke e realizuar dhe do ta realizojmë."
Dorëheqja e Lulzim Bashës ka nxjerrë thuajse nga jeta politike mbështetësit e tij.
Por Boçi ndan mendimin se zërat ndryshe duhen respektuar.
"Zërat ndryshe duhen respektuar. Komisioni i Rithemelimit ka shprehur bindjen se në një parti mund të ketë fraksione dhe zëra ndryshe por e rëndësishme është që këto zëra të jenë zëra që çojnë ujë në mullirin e PD për bashkimin e saj, organizimin dhe arritjen e qëllimeve më të larta."
Në fund Luçiano Boçi ftoi demokratët të bashkohen për të mirën e Partisë Demokratike që të kryesojë aksionin politik qe do të sjellë rotacionin në vend.
Kujtojmë se kryetari i PD-së në Elbasan Eugen Isaj i qëndroi deri në fund besnik Lulzim Bashës.
