Zbardhet zjarrvënia te Bashkia e Tiranës, pamje nga momenti kur i riu mbi biçikletë djeg makinën e UKT-së

Zbardhet ngjarja e djegies së automjetit në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë, ngjarje e ndodhur me 25 mars të këtij viti.

Në pranga ka përfunduar autori i dyshuar, 28-vjeçari me iniciale si Endrit.J.

Për identifikimin e tij kanë ndihmuar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ka ndodhur ngjarja. Në pamjet e publikuara nga policia shihet i riu mbi biçikletë që i afrohet mjetit në parkim dhe hedh një shishe, të dyshuar me lëndë djegëse, poshtë tij.

"Bazuar në provat e grumbulluara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 ka rezultuar se ky shtetas, më datë 25.03.2022, ka hedhur një shishe, të dyshuar me lëndë djegëse, poshtë një automjeti në pronësi të UKT-së në Bashkinë Tiranë" informon policia.  

Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit E. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një thikë, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, një shishe plastike e mbushur me benzinë, një pushkë sportive (detare), një biçikletë dhe dy aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale për veprat penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive".