Zhduken dosjet e pronave në Durrës, Lame: Regjistrat e pronave të dëmtuara, pasuritë me probleme do bllokohen
Për të gjitha pronat që do të evidentohen si problematike do të ngrijnë procedurat për legalizimin e tyre nga Kadastra. Lajmin e bëri me dije kreu i këtij institucioni, Artan Lame, nga Durrësi aty ku u njoftua dhe inventarizimi i arkivit të pronave në këtë qytet. Lame deklaroi se me qindra faqet në regjistrin e pronave në Durrës mungojnë ose janë dëmtuar.
Pas zgjidhjes së problematikave në lidhje me rishpërndarjen e pronave, Agjencia e Kadastrës njofton se ka ngritur një grup pune për të bërë inventarizimin e arkivit të trashëguar të qytetit të Durrësit.
Përmes një konference për shtyp, drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Artan Lame, paraqiti të dhënat e raportit që është bërë pas kontrollit të 1063 regjistrave që arkivi i Durrësit disponon.
“Situata e trashëguar në arkivin e ZRPP Durrës tejkalon çdo lloj imagjinate. Gjithësej Arkivi ka 1063 regjistra, vetëm 152 janë të paprekur, 908 regjistra paraqesin prekje dhe ndryshime brenda tyre, ndryshime fletësh.”
Në këto regjistra mungojnë 730 fletë, 243 të tjera janë zëvendësuar.
Ndërkohë 569 faqe janë dubluar, pra e njëjta pasuri ekziton 2 herë dhe 25 faqe janë grisur.
Sipas Lames, ky vendim u mor për ta shkëputur Hipotekën nga kthetrat e atyre që e kishin kthyer si shtëpinë e tyre.
Ai sqaroi se për pasuritë e idenfitifikuara me probleme do vendoset bllokimi dhe pa u sqaruar situata nuk do të veprohet mbi to.
"Për të gjitha pasuritë e identifikuara me probleme nga ky raport do të vendoset bllokimi dhe pa pastruar dhe spastruar dokumentacionin e tyre nuk mund të operohet dhe veprohet mbi to."
Ndër të tjera, kreu i Kadastrës bëri me dije se zgjidhja përfundimtare e kësaj situate, do të vijë përmes procesit të skanimit dhe dixhitalizimit të arkivit, i cili do të nisë në Tiranë, Durrës dhe Lushnje.
Lame njoftoi gjithashtu se raporti i grupit të kontrollit do t’i përcillet Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë që strukturat të vijojnë hetimet mbi bazën e këtij materiali dhe që të shmangen presionet për të plotësuar gropat e identifikuara.

